Abazi: E ardhmja është pa Thaçin e Mustafën në politikë, shteti dhe pavarësia janë në rrezik

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi e ka quajtur tradhti të votës, tentimin e LDK-së që të krijojë koalicion me AAK-në, Nisma-AKR dhe komunitetet joshumicë.

Abazi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Kush është ai njeri që mund t’ju bindë, se pas 50-ditëve mirëqeverisje e drejtime të ndërtuara në program të përbashkët, paska çfarëdo arsyeje racionale që të kalohet në bashkëqeverisje me ata që e kanë katandisur Kosovën në një copë lecke të ndyrë”.

Abazi më tej ka shtuar se Mustafa dhe klani i tij kanë vetëm një interes; atë për të mbrojtur sistemin e PAN-it, ku kanë edhe njerëzit e tyre duke përfituar nga keqbërja dhe manipulimi e kontratat nga buxheti i shtetit dhe njerëzit e të njohur të punësuar.

Ai ka shtuar se shteti dhe pavarësia janë sot në rrezik, dhe se e ardhmja është pa Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën në politikën e Kosovës.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq nga LDK

Më lejoni që në fillim të këtij shkrimi t’ju heq dilemën se për çfarë po shkruaj dhe sesi qëndron kjo në raport me pozicionin dhe punën time.

Së pari, po shkruaj si një shqiptar, njeri qe ka punuar me përkushtim e bindje se në realpolitikën ku gjendemi sot, vetëm një koalicion – LDK dhe LVV – mund ta nxjerrë vendin nga skëterra, ku e ka futur krimi dhe korrupsioni, sistemi i kapur nga parapolitika dhe njerëzit që janë pasuruar në kurriz të vendit dhe duke privatizuar e shkatërruar çdo gjë që është publike.

Bindja dhe përkushimi im është i bazuar në realitetin që po jetojmë çdo ditë, por edhe në përvojën time të punës në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku kam punuar për 20-vite.

Që nga viti 1999, kur menduam se po çlirohemi, në fakt ka filluar një robërim i natyrës tjeter. Në këtë udhë, të gjithë patëm shumë vështirësi, por kishim edhe unitetin e vizionin për të perballuar e nderuar shtetin tonë, për të fituar lirinë tonë dhe për të gëzuar dinjitet në jetët tona.

Sot, ju jeni pyetur që të përkrahni hyrjen e LDK-së ne koalicion me partitë e PAN-it. Po PDK, AAK, NISMA, Listen Srpska- loja me fjalët janë vetëm mashtrim. Pas vetëm 50-ditësh bashkëqeverisjeje me LVV-në. Kush është ai njeri që mund t’ju bindë, se pas 50-ditëve mirëqeverisje e drejtime të ndërtuara në program të përbashkët, paska çfarëdo arsyeje racionale që të kalohet në bashkëqeverisje me ata që e kanë katandisur Kosovën në një copë lecke të ndyrë.

Nga kush po kërkohet ky koalicion me PAN? Nga njeriu që ka marrë më së shumti vota në LDK, znj.Vjosa Osmani? – JO! Sikur të kërkohej nga ajo që u bë fytyra e LDK-së për të hequr Kosovën nga kthetrat e krimit dhe korrupsionit, që i dha fund epokës së bashkëpunimit të LDK-së me PAN-in, vetëm atëherë kjo kërkesë do të dukej vërtet e arsyeshme. Në fakt, znj.Osmani e mbrojti qëndrimin, premtimin dhe angazhimin e saj për ta luftuar krimin dhe korrupsionin së bashku me LVV, si dhe doli kundër mocionit së bashku me disa deputetë të tjerë nga LDK-ja. Kjo tregon, sesa e padrejtë dhe sa e rrezikshme është ideja për të bërë një koalicion antikushtetues dhe jolegjitm me PAN-in sot.

Kjo është tradhëti e votës, por mbi të gjitha është vërtetim, se Mustafa dhe klani i tij kanë vetëm një interes; atë për të mbrojtur sistemin e PAN-it, ku kanë edhe njerëzit e tyre duke përfituar nga keqbërja dhe manipulimi e kontratat nga buxheti i shtetit dhe njerëzit e të njohur të punsuar. Mustafa dhe klani i tij i ndërtuar me paratë e 3%-shit (UFORK) kanë krijuar sistemin që ka marrë LDK- n si kalanë nga brenda, duke tradhëtuar tinëzisht edhe Fatmir Sejdiun, por edhe të gjithë ata që kanë punuar e vepruar me shumë se një dekadë për shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Klani Mustafa-Bukoshi e kanë kapur LDK-në dhe e kanë bërë patericë të Thaçit për më shumë se një dekadë tanimë.

LDK-ja e vertetë duhet zgjuar dhe duhet t’i thërrasë ndërgjegjjes për përgjegjësinë që ka ndaj shtetit dhe pavaresisë. As Vjosa Osmani e as Donika Gervall nuk mund të injorohen dhe as me qindra mijëra votues.

Shteti dhe pavarësia janë sot në rrezik. Ato të dyja do të shpëtojnë, por nëse përmbysja e demokracis dhe votës qyetare lejohet sot, rruga do të jetë shumë më e gjatë dhe më e vështirë për t’u liruar nga krimi dhe korrupsioni, varfëria do të jetë shumë më e thellë për t’u tejkaluar dhe kostoja do të jetë shumë më e madhe.

E gjithë bota është duke parë sesi po te tentohet të shembet demokracia në Kosovë dhe po kërkojnë nga të gjithë që të veprojmë me maturi e përgjegjësi. Këto të dyja i mungojnë Thaçit dhe duke qenë në shërbim të tij, edhe Mustafës dhe klanit të tij. Kosova nuk i ka borxh as Thaçit e as Mustafës, dhe nuk mund të jetë peng as i kalkulimeve të tyre e as klaneve që kanë ndrydhur vendin, lirinë e po rrezikojnë edhe pavarësinë e shtetit tonë.

Nuk mund të lejojmë që Mustafa, i cili i shkaktoi kaq shumë dëm Kosovës duke e bërë Thaçin president dhe shunë shërbime tjera, përderisa mbi supe mban barrën e sabotimit të Rugovës dhe punës së tij, duke i ndaluar të gjitha pagesat dhe përkrahjen pikërisht në momentin më të rëndësishëm të historise.

Nëse ju me votën tuaj e pengoni Mustafën sot dhe e ktheni LDK-në në vizionin e Rugovës dhe të shtetbërjes, ju do të jeni në shërbim të Kosovës, shqiptarëve dhe lirisë e pavarësisë sonë.

E ardhmja është pa Thaçin dhe pa Mustafën në politikën e Kosovës.