AOGJSH kërkon ndryshim të dekretit për kufizime të pagesës së kompensimeve dhe shtesave për paga

Sindikata e Punëtorëve nga Administrata, Organet Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH) kërkon nga Qeveria që ta ndryshojë dekretin për kufizime të pagesës së shtesave dhe kompensimeve të pagave dhe prej tij përveç personelit mjekësor, policisë dhe Armatës, do të përjashtohen edhe punonjësit në policinë gjyqësore, shërbimet doganore, inspektorët, policia e burgut dhe administrata, policia pyjore dhe zjarrfikësit.

“Këta të punësuar nga fillimi i krizës dhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme janë në vendet e tyre të punës dhe në tërësi i kryejnë obligimet e tyre të punës të cilat përfshijnë punë në terren për sanksionimin e personave juridikë dhe fizikë të cilët nuk i respektojnë masat dhe urdhrat e Qeverisë, sigurimin e institucioneve dhe personave, kontroll të mallrave dhe personave në vendkalime kufitare, etj. Duke i kryer obligimet e tyre të punës këta të punësuar jo vetëm që punojnë më shumë se sa orari i plotë i punës gjatë një dite, të njëjtët punojnë edhe në ndërrime, kanë kujdestari, punë në festa dhe pushim javor, ndërsa natyra e punës së tyre është ashtu që janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët që i vendos në rrezik që të infektohen nga virusi Kovid-19”, thekson sindikata e AOGJSH-së.

Kërkesa, siç informojnë, është dorëzuar sot në Qeveri dhe me të kërkohet ndryshim i dekretit tashmë në mbledhjen e ardhshme qeveritare.

Qeveria në mbledhjen e 37-të solli dekret me të cilin kufizohet pagesa e shtesave dhe kompensimeve të pagave për të punësuarit në sektorin publik për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga Kovid-19