BFI dhuron 3000 maska mbrojtëse për Spitalin e Gostivarit

Muftinia e Gostivarit, respektivisht Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka dhuruar 3000 maska mbrojtëse për spitalin e Gostivarit. Dorëzimi i maskave u bë personalisht nga kryetari i saj, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili qendori sot për vizitë në Muftininë e Gostivarit ku e priti Muftiu Shaqir Fetahu dhe drejtroi i spitalit të Gostivarit Jakup Jakupi. Me këtë rast, kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut, përgëzoi ekipin mjekësor të Gostivarit për menaxhim të situatës, ndërsa deklaroi se donacionet për spitalin e Gostivarit janë vazhdimësi e donacioneve që BFI ka bërë dhe për institucione të tjera.

Muftiu Shaqir Fetahu falemnderoi Bashkësinë Fetare Islame për donacionin e dhuruar, teksa përmendi se qyteti i Gostivarit është shembull se si duhet menaxhuar situata në kohë pandemie.

Falemnderues për donacionin e dhuruar për spitalin u tregua dhe vetë drejtori Jakup Jakupi, i cili u shpreh se mjetet mbrojtëse do të ju dalin në ndihmë ekipit shëndetësor dhe pacientëve të shtruar në spitalin “Ferid Murad”.

Gjatë takimit, palët janë shprehur optimistë në tejkalimin e pandemisë së koronavirusit, duke bërë thirrje për respektimin e urdhëresave dhe të rekomandimeve të organeve shtetërore, si dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në përballimin me sëmundjen që ka përfshirë pothuajse tërë botën. Ndryshe, Spitali i Gostivarit kohëve të fundit vazhdimisht ka pranuar donacione nga biznese private, organizata të ndryshme si dhe njërëz të vullnetit të mirë.