Bujar Osmani: Na qoftë me fat anëtarësimi në NATO!

Të nderuar qytetarë,

Pamje vërtetë e bukur kjo simbolikë e sotme – ngritja e flamurit të vendit tonë, i cili, do të valojë që sot e tutje, krah për krah me flamujt e 29 vendeve të tjera – anëtare të aleancës më të fuqishme politike ushtarake. Këto momente të bukura, këto lajme të mira të cilat po na vijnë këtyre ditëve, po na ndihmojnë të ballafaqohemi edhe me sfidën e krizës së tanishme, duke e ditur se na pret një e ardhme më e mirë.

NATO është aleancë e shteteve më të fuqishme në botë, të cilat jo vetëm që e garantojnë sigurinë e anëtareve të tyre, por, për më shumë se 70 vite siguron paqe. Për ne, kjo do të thotë siguri, stabilitet dhe parashikueshmëri afatgjate, si bazë për zhvillim dhe progres më të shpejtë, përmes të cilit do të sigurojmë edhe standard më të lartë për qytetarët.

Ndërsa, ngritja e flamurit tonë, sot në selinë e NATO-s, ka edhe simbolikë tjetër për ne. Ky moment historik, simbolizon edhe realizim, më në fund, të ëndrrës së politikanëve prej gjeneratash, ëndrrës së të parëve tanë, është realizim i përcaktimit tonë fundamental drejtë vlerave të civilizimit perëndimor.

Na qoftë me fat anëtarësimi në NATO!, shkruan Osmani në Facebook.