Bujqit me leje veçanta mund të lëvizin nesër dhe pasnesër

Bujqit të cilët kultivojnë perimekultura të hershme dhe kanë aktivitete urgjente në lidhje me prodhimtarinë në serra janë të përjashtuar nga ndalesa për lëvizje në fundjava (të shtunat dhe të dielat) prej orës 16:00 deri në orën 05:00, shkruan gazeta KOHA.

Ndërsa bujqit tjerë, nga nënsektorët e tjera (bujq, kultivues të frutave) nëse kanë aktivitete urgjente në lidhje me prodhimtarinë bujqësore gjatë ndalesës për lëvizje, duhet përmes telefonit të lajmërohen në njësitë rajonale të Ministrisë, të shpjegojnë dhe të lënë email për kontakt. Pasi Njësia Rajonale do të kryejë kontroll të të dhënave të dorëzuara, do t’i ridërgojë deri te Ministria e Bujqësisë, ndërsa pastaj edhe deri te Ministria e Shoqërisë Informatike, prej ku bujqit në emailin e tyre do ta marrin lejen. Siç bëri të ditur sot ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, duke informuar për vendimet e djeshme qeveritare, hyn në fuqi edhe Dekreti sipas të cilit – derisa zgjat gjendja e jashtëzakonshme nuk do të rrjedhin afatet për grumbullimin e ofertave për dhënien me qira tokë bujqësore shtetërore deri në tre hektarë.
“Për shkak të intensifikimit të sezonit të punëve bujqësore, veçanërisht te kulturat kopshtare, në pjesën e ndalesës së lëvizjes në fundjavë këto ditë përjashtohen bujqit të cilët kultivojnë perimkultura të hershme dhe kanë aktivitete urgjente në lidhje me prodhimtarinë në serra. Kjo nënkupton se kjo kategori e bujqve nuk duhet të nxjerrë leje të veçanta. Por, themi, ky përjashtim të përdoret vetëm për kryerjen e aktiviteteve bujqësore në serra”, theksoi Dimkovski në konferencën për media.

Ai edhe një herë theksoi se mbrojtja e shëndetit publik është primare për çka, bëri thirrje,bujqit t’i respektojnë të gjitha rekomandimet e Qeverisë për mbrojtje nga Kovid-19. Sa i përket Dekretit për tokën, Dimkovski sqaroi se pasi do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme zgjedhja e ofertuesit më të mirë në procedurat e filluara me grumbullimin e ofertave për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore deri në tre hektarë, do të bëhet sipas rregullores për kriteret më të afërta për zgjedhje të ofertuesit më të volitshëm të tokës bujqësore e cila mund të jepet me qira.