Camaj: Sot mund të flasim lirshëm, por më 24 mars ndiheshim si të ngujuar…

Sot mund të flasim si të duam, por me 24 mars ndiheshim të ngujuem, të lanun, madje të përbuzun, dhe çdo mesazh perkrahje na kishte randesi, por besoj se gjithësecili e ndinte në mënyrën e vet! E se si mund të kem ndie, besoj më së mirit e ilustron një fragment, që po ua sjelli më poshtë, nga “Andrra e Pretashit” të Pater Anton Harapit:
Lexim të kândshëm!

Aty-këtu, në Grudë kishin fillue m’u ndie do shëje kolere, a ma mirë me thanë, shumkujë i ishte dyndë vneri. Si mbas zakonit, ata qi e bajnë dimnin nën Shkodër a në fushën e Tuzit a por birgjeve të liqenit, të dalmen në mal e të pimen ujë Cemi, pësojnë nji shndërrim aq të fortë në trup, sa me të vojtë mendja, se nuk pështojnë pa dekë.
Ishem ndejë n’oborr me sa burra qi vijshin, kush për fjalë e kush për punë, e tue bisedue, me ta, disi gand, marr vesht se atje në skaj të Pikalës, robt e njaj shpie, i madh e i vogël, ishin kenë ngjujue mbrendë – si thojshin ata – prej kolere.
Jo vetëm në këtë rasë, por edhe shumë hera tjera edhe ndër tjera male kam vu oroe, se i malsori, sa asht i pakujdesshëm për shëndet, aq i hin mndera e dron, kur t’i mbushet mendja për nji lëngatë të prashme, qi merr mallim (epidemi). S’u hin as s’u del kush, po më thonë, e der ujët u a barin kojshit e u a lanë në derë t’borrit, se ma mbrendë nuk u shkelet kush.
Ankohem me ta, si mos m’u gjetë kush me i a kallzue Fratit ketë punë, kurse meshtari në famulli, ma fort se për tjetër, asht për punë të shpirtit e për njikëso rasash; por ata m’a gjegjën, se kur nuk u hin as s’u del kush, as Frati s’ka çë ban kurrsesi ndër ta. Çohem me nji herë, marr shkopin e strajcën e vojimit edhe nisem dogri vetëm te ajo shpi.
Kah s’luente as s’dihej kush as mbrendë as jashtë, m’u ba si të kishte ra nji hije deke n’oborr e gjithkund për rreth asajë shpije së veçueme der prej vëllaznije. Hij n’oborr, e si ngujoj prap derën me guzhëm si mbas zakonit, thërras të madhe:
– A jeni ktu, oj!…
Si thirra dy a tri herë, dikur qet kryet në prezore i zoti i shpis, e si me dashtë me më njoftë, shtrin shëplakën e dorës mbi ballë, e më shikjon. Un gjithnji shkojshem tu e i u afrue derës së konakut. Për nji qi vuna kambën në shkallë, për m’u ngjit te dera, vikatë sa mundet:
– Mos u afro ka, zotni, se po prahe.
Gati si në llaf i gjegji: Jo, more Lulash, nuk diset aq kollaj si mendon ti, por del e çilma derën të hij mbrendë. Zemrohet burri, edhe përnjimend me za të ngultë e të fortë m’a dredhë:
– Unë po të thom shko kah ke ardhë se derën s’t’a çili. Disi m’u ba nakël e fillova me dyshue mos asht ndo’i tjetër arsye për të cilën nuk don t’i hijë në shpi, prandej, aty, në fund të shkallës, pa luejtë vendit, vijova djalogun me të, tue ndërrue mënyrë.
– Po si kështu, i thom, me t’u dhimtë nji kafe e nji cingare duhan për Fratin?
Lulashi u prek e u tyrpnue edhe fort prej këtyne fjalëve, i dha vetit e qiti kryet teksa ma jashtë dritorjet, e me nji mënyrë sa të dhimbëshme aq burrnore, mu gjegj me nji herë.
– Mana t’ishem shëndosh me rob, nuk pat me m’u dhimbët grimë as dashi i kumbonës, por mbasi Zoti, me ketë lëngatë më dau me gjith rob prej robnis tjetër, nuk ke çë ban as ti ndër ne, por nisu e shko, more zotni.
Si u sigurova se Lulashi s’kishte tjetër, por drojen mos të prahem unë, ngula këmbë, edhe gati si në kërcnim i thom:
– Ti fol so të duesh, lum Lulashi, por t’a dhaçë besën e Zotit, se topat e Karadakut me m’i vu ti sot, nuk luejta vendit, pa hij nji herë atje ke ti.
– Mana, por je meshtar se paçë me të thanë ndryshe!
– Pre Zot-a, njitma si të duesh, se nuk dola sot këndej, pa e ba temen. A e din ti se meshtarit e mjekut nuk i ndalet rruga prej kurrkujë? ata kanë të drejtë e detyrë të hijnë gjithkund, prandej s’ke si më prapon ti mue sot në derë të shpis sate.
Mbas këtyne fjalëvet, Lulashi nuk më përgjegjë, largohet prezorje, hinë mbrendë e e ndiej kah dishka murmuron atje me veti.
Un nxjerri kutin t’a pështjelli nji cingare, gjithnji tue mendue se si të baj me përshkue ndër ata të ngujuem të mjerë. Kur që s’vonoi, e pa pritë pa kujtue, çilet dera, del Lulashi në krye të shkallës e tyrpnueshëm, si me kenë tue dorzue armët, më thotë:
Hajde pra, por nuk ke ku me ardhë.
Me prin e më çon para votret, merr nji stol, i ven nji batani sypri, më grishë me u ulë me ndejë buzë zjarmit e don me më qitë kafe.
Oda e terrshme prej vetit ishte mbushë me tym, sa me qitë lotët prej syvet; kalamajt, të sëmuet, vikatshin sa ku mujshin, e ama, shtri sa gjanë gjatë, mbulue me nji rubë të madhe, qi s’ishte as çarçaf as batani, gulfa-gulfa qitëte vner për goje me të këputë shpirtin; në nji tjetër skaj t’odës, nji burr kund 40 vjeç, hapë kambë e krahë, ra në kokërr të shpinës, kishte qitë syt kokërdhok, kah dyndë vneri, donte me e qitë, e s’ishte punë me shpërthye; atje ma përtej prap nji djaloç i lam në vner, gjimonte, afër, kishte të motrën, e cila, zbe në fytyrë e ba verdhë si çapini, veç se nuk kishte dhanë shpirtin, se kishte dekë e shkue. I madh e i vogël, përveç të zot të shpis kishin ra ne me pa kund Lazaret, por n’atë mënyrën e vet, gjendja e atyne robvet, s’i lente gja mangut nji Lazaretit të vërtetë.
I rrëfeva të gjithë sa kjenë, vojova kush ishte për vojim, përdora tanë zotsin tëme, tue u a sjellë dy fjalë ngushllimi e zemrimi sa ma mirë dija e mujta.
Lulashi ishte pre; kishte ndejë haru e por më shikjonte, fëtyra i shkonte e i vinte, herë në trishtim e herë në shpënesë; s’bante ver me gojë, por hove-hove, merrte frymë turrshem, e veti me veti shpërthente ndër këto fjalë:
Të lumtë na për Zotin!
Qindro si burrat, i thom, e Zoti s’ka me t’a bjerrë mundin as shpënesën; mos u ngushto se Zoti – i kjoshim falë të Lumit – nuk ka gja të mangut e shumë herë ndëshë, se sa ma ngushtë e mendon robi aq ma mirë e ban Zoti.
Kishte ndejë burri trup Zot-o e më shikjonte, me të vojtë mendja se po i kris çekërku i mendes. Njatje dikur, i bjen mustakut me dorë andej e këndej, më hullet afër, më shikjon mirë e ngulshëm në fytyrë, e kah i pështojnë dy kokrra lodjet; ama dorën, thotë, Patër, të paçim bekimin.
Më puthi dorën me gjithë heshtat të zemrës, e duel me më përjellë.
I ishte pre fjala në gojë prej ndiesivet qi i gufojshin në zemër, e veç kur i thaçë lam-tu-mirë, fshani nji herë sa ku mujti e m’u përgjegj:
– T’u mirë vosh e kjosh. T’a dijt Zoti, more zotni, se sot m’a ke vjeftë gjysën e Podgoricës, t’a thotë Lulashi me të drejtë, se edhe me më dekë robt, tash s’po ko’ dert kurr’i grimë, kaq m’asht ba zemra kotec për ketë punë. Më përcuell der te dera e oborrit e kur i dhaç dorën para se m’u da, nuk i bahej me m’a lëshue. Xu vend, përshtetë buzë ledhi, përmallshëm më përcuell me sy e me zemër der ku mujti me më pa. Në krye të disa ditëvet, tue marrë un me dale n’oborr të qelës, që po shoh Lulashin te dera me nji tas tambël në dorë, prove se ishte kenë hjekë kvarantina prej shpis së tij. – Po a ti je, Lulash? – Vetë un jam, more zo…, shkruan në Facebook, Kryetari i LDSH-së në Malin e Zi,z.Camaj.