Çka pas COVID-19?

Nga Armend Fazliu

Njerëzimi pothuajse ndër shekuj ka kaluar në periudha e gjendje të vështira të paimagjinueshme. Epidemi, luftëra dhe kriza urie, që njeriun e shpien gjer në kanibalizëm. Jo me larg se para 100 vjetësh. Rënia e Rusisë cariste është një dëshmi për këtë. Njerëzimi, me ndihmën e Zotit, ka fituar të gjitha këto luftëra. Por, ekziston një betejë tjetër sistematike e tij. Ajo me vetveten. Për të frenuar epshin, egon dhe për të etabluar ekuilibrin shoqëror, njeriu krijoi rendin kushtetues. Ligjet. Institucionet dhe shtetin. Shteti është nocion serioz. Institucionet janë kategori ligjore.

Ashtu si çdo organ që në organizmin e njeriut kryen funksionin në mënyrë precize, edhe njeriu në tokë ka misionin e tij fisnik. Por, a devijoi njeriu nga vlerat themeltare për të cilën u krijua? Unë mendoj që po. Argumentet për këtë janë kokëforta. Atëherë, cilat janë shkaqet e krijimit të njeriut? Kësaj pyetje vështirë t’i përgjigjet kush, veç religjionit. Të paktën autorësinë e universit nuk ka guxuar ta marrë askush mbi vete, përpos fesë. As shkenca. Shkenca argumenton krijimin e universit. Por jo përtej. Autorësia është kosto e pa përballueshme për këdo, përveç religjionit.

Të gjitha fetë Abrahamike e kanë një shpjegim logjik, pothuajse të përafërt. Shkenca? Shkenca ecë nëpërmjet njeriut. Pa njeriun nuk do të kishte shkencë. Vetëm fetë kanë përgjigjen përtej kufirit ku mbaron logjika e shpjegimit të faktorit njeri dhe ajo e argumentimit shkencor. Kjo është edhe arsyeja se përse në botë, të paktën në mënyrë statistikore, shoqëritë janë besimtare. Zoti është i rëndësishëm edhe për ata që s’besojnë.

Njeriu nuk është i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm, i gjithë pushtetshëm. Njeriu mund të jetë vetëm: i fuqishëm, i dijshëm dhe i pushtetshëm. Njeriu s’është absolut. Njeriu është qenie kohore, e vdekshme. Madje njeriu nuk mund t’i rezistojë as kohës. Sepse tretet. Jo shumë njerëz, historia ka dokumentuar në mënyrë faktike. Mu për këtë shoqëria ka vënë një standard, e quan mitologji. Për gjithçka që s’mund të dokumenton shkencërisht. Sidoqoftë.
Po cila duhet të jetë busulla orientuese e qenies njeri? Vlerat themeltare. Adhurimi i Krijuesit. Morali, besnikëria, devotshmëria, humanizmi, dëlirësia, dituria dhe ajo më e rëndësishmja, drejtësia. Mbi drejtësinë dhe urtësinë absolute mbahen ekuilibrat e universit. Mbi drejtësinë dhe urtësinë si bosht, janë ngritur qytetërimet më të avancuara që ka bota.

Dy ekstremet që prodhoi mendja njerëzore, komunizmin si “socio fe” dhe nazizmin si dogmë e supremacisë racore, çoi botën në katastrofa të paimagjinueshme dhe të pa rikuperuar. Shteti modern është shteti i gjykatës, dhe jo i pushtetit ekzekutiv. Sepse pa drejtësinë, shoqëritë humbasin ekuilibrin esencial, dhe i forti gjithmonë do të marrë hakun e të dobëtit. Drejtësia e privon faktorin forcë nga dominimi.

Ekziston një pyetje që jemi shmangur për t’iu përgjigjur. Në globalizimin rapid, në zhvillimin e hovshëm teknologjik që ka shndërruar njerëzit në qenie robot-materie, sikurse të mos kenë fare shpirt, gjak dhe zemër: Njerëzit janë më të moralshëm siç ishin apo jo? Shoqëria është më e drejtë siç ishte apo jo? Institucioni fondament mbi të cilin ngrihet shoqëria e arsyes, i quajtur familje, ka më pak apo më shumë vlere? Sigurisht, në sistemin e kapitalit shumë gjëra duan lekë, morali jo. Morali, etika dhe estetika nuk duan lekë. Duan vullnet.

Fatkeqësisht, njerëzia ka ikur, kanë ngelë vetëm njerëzit. Në kohën e kësaj krize të pandemisë, ne kuptuam që në rrotullimin tonë centrifugal jetësor, më shumë për të mbijetuar se sa për të jetuar, ne kemi braktisur postulatet kryesore shoqërore bazike. Virtytet fondamentale njerëzore, u zëvendësuan me instinktet e egërsisë kafshërore. Veset, si zilia, shpifja, mashtrimi, për pak pushtet, për pak pozitë, për pak dynjallëk dominuan edhe nomenklaturat dhe estabilishmetet e vendeve me nivel intelektual dhe aftësi shekullore në qeverisje. Dominimi i forcës u bë timoni i njeriut. Pastaj nga kjo trampolinë, kursi i njëjtë vazhdoi në familje, në lagje, në shoqëri, në qytet dhe republikë. Prandaj shteti është nocion serioz. Sepse, shteti e kuron njeriun. Nëpërmjet instrumentit qe quhet arsimim. Por të gjitha këto janë në funksion të asaj që quhet njeri.

Sigurisht që ekonomia nga çrregullimi do shkojë në drejtim në ri-rregullim. Është aksiomë shkencore. Planeti do të bëhet më i pastër. Shtresa e ozonit do ketë pësuar ripërtëritjen. Flora dhe fauna do jenë përmirësuar ndjeshëm. Lumenjtë do jenë kulluar. Dielli do të jetë më rrezatues. Hëna do jetë më e shndritshme. Fushat do jenë më të blerta. Njerëzit do ngelin po ato.