Çulev: Arma më e fortë për parandalimin e koronavirusit është distanca sociale

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev sot apeloi qytetarët t’i respektojnë masat e miratuara, të mos ekspozohen ndaj rreziqeve të panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Që nga sot, hyjnë në fuqi masat e reja të qeverisë, sipas të cilave ndalesa e lëvizjes do të fillojë në orën 16:00, ndërsa jo si më parë në orën 21:00.

Çulev, i cili sot në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u dorëzoi donacion tre institucione shëndetësore, deklaroi se duke qëndruar në shtëpi, qytetarët u ndihmojnë profesionistëve shëndetësorë dhe kontribuojnë në betejën me koronavirusin. Ai e porosit stafin mjekësor që të kujdesen për shëndetin e tyre.

“Ata, së bashku me policinë, janë në radhët e para të betejës të cilën duhet ta fitojmë të gjithë së bashku. Kjo është arsyeja pse ata e meritojnë gjithë respektin tonë, por edhe të gjithë ndihmën dhe mbështetjen tonë që mund t’ua ofrojmë atyre. Shëndeti dhe siguria e tyre janë thelbësore për momentin. Në duart tona është arma më e fortë për ta parandaluar përhapjen e virusit, ndërsa ajo është mbajtja e distancës sociale”, tha Çulev.

Dhurimi i kostumeve mbrojtëse, maskave dhe dorezave iu dorëzua ISHP “8 Shtatori”, Institutit të Shëndetit Publik dhe Klinikës Universitare TSORMI (Qendër Emergjente).