Deputetja e VV jep gjysmën e pagës: Ne që kemi mundësi duhet ta ndihmojmë shtetin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka bërë të ditur se e ka ndarë gjysmën e pagës së saj, si ndihmë financiare për luftimin e koronavirusit në vend, raporton Gazeta Express.

Pacolli ka shkruar në Facebook se i është bashkuar nismës së kryeministrit dhe kolegëve deputetë, duke ndarë gjysmën e pagës.

“Në këtë situatë emergjente shëndetësore shteti ka nevojë për ndihmën e secilit nga ne. Ne mund të ndihmojmë duke qëndruar në shtëpi e duke respektuar rregullat, e për ne që kemi sado pak mundësi edhe duke ndarë një shumë modeste për fondin e Qeverisë së Kosovës.

Asnjëherë më shumë si shoqëri se këto ditë të vështira nuk e kemi ndier nevojën për një sistem të zhvilluar publik shëndetësor”, ka shkruar ajo.