Dibra kërkon hapjen e një punkti për testim

Edhe pse institucionet kompetente në vend paralajmëruan hapjen e 14 punkteve për testim të koronavirusit në vend, për Dibrën nuk është përcaktuar asnjë punkt, edhe pse qyteti ishte dhe është vatër krize e koronavitusit . “Kërkojmë Qeveria të përcaktoj një punkt edhe në qytetin e Dibrës”, theksoi sot kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili është njeriu i parë i Shtabit Operativ.
Ai tha se aktualisht në Dibër janë regjistruar 43 raste me koronavirus, nga e cila dy kanë ndërruar jetë, ndërsa 13 aktualisht gjenden në shërim në Klinikën infektive në Shkup dhe 28 janë në izolim shtëpiak në Dibër. “Brenda 24 orëve të fundit janë marrë edhe 20 testime në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Aktualisht të izoluar në shtëpitë e tyre janë 210 persona”, tha Duka, ndërsa shtoi se 114 personat që u kthyen dje nga punkti policor në Urën e Boshkut, meqë nuk kishin bërë testimin, po udhëtonin me rekomandim të mjekëve se ata janë shëndoshë.

“Këtë problem presim ta tejkalojnë sot meqë janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet që ata ta lëshojnë Dibrën pas dy javëve që kishin bë izolimin në hotelet në Banjat e Dibrës Capa”, tha Duka.

Në lidhje me përforcimin e personelit mjekësor, vazhdoi ai, presim që këto ditë në Spitalin e Dibrës të vij edhe përforcimi me gjinekolog dhe anesteziolog, por njëkohësisht të arrijnë edhe aparate të nevojshme medicinale për monitorimin e të dyshuarve me koronavirus. Në këto situata, thotë Duka, ata aparate janë teje të nevojshme. Në ndërkohë, situata e sigurisë nga Shtabi operativ vlerësohet e mirë dhe ora policore respektohet.