Drejtori i QSHP Ziberi paralajmëron: Është ende herët të flitet për lehtësim të masave kufizuese

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik Arben Ziberi në një prononcim për Klan Maqedoni shprehet se numri i madh i personave të diagnostifikuar me COVID-19, është si rezultat i testimeve që bëhen në nivel vendi. Ai mbështet tezën e tij se ky virus mund të ketë qenë në vendin tonë qysh në Janar, kjo për shkak të rritjes së numrit të prekurve nga virusi sezonal në krahasim me vitet e mëparshme. Ziberi shprehet se është herët për lehtësimin e masave kufizuese.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik Arben Ziberi, duke u bazuar në informacionet nga terreni, para gati një muaji parashikoi se numri i të prekurve mund të arrijë shifrën 100 brenda një dite. Autoritetet shëndetësore më 16 Prill në raportin ditor njoftuan për 107 raste. Ai thotë se nuk është mirë të parashikohet se kur mund të ketë rënie të numrit të infektuarëve, pasi sipas tij, tani vendi gjendet në pikun më të lartë.

Ziberi thotë se jo rastësisht është arritur në numrin mbi 100 të prekur  brenda një dite. Kjo, për shkak të numrit të madh të testimeve,  që sipas tij, e bën vendin tonë lider në Ballkan dhe se para nesh është vetëm Sllovenia.

Ziberi duke u bazuar në të dhënat e Qendrës së Shëndetit Publik, mbështet tezën e tij, që e kishte dhënë ndoshta ndër të parët, se ky virus mund të ketë qenë i pranishëm në vendin tonë qysh në muajin Janar. Kjo, duke marrë parasysh, numrin prej 17 mijë të prekur nga gripi sezonal në krahasim me vitin e kaluar.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik thotë se është shumë herët të mendohet për lehtësimin e restriksioneve dhe masave të kufizimit të lëvizjes, për shkak të shifrave që paraqiten nga autoritetet shëndetësore. Ai thotë se masat e Qeverisë po japin rezultate duke bërë thirrje që të respektohet izolimi dhe distanca sociale me qëllim që të mos ngarkohet sistemi shëndetësor.