Filipçe: Mjekët janë heronjtë tanë, të gjithë të kujdesemi për shëndetin e tyre

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë (7 Prilli), ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka shprehur mirënjohje për mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor, për rolin e tyre në luftën ndaj coronavirusit.

Filipçe thotë se në këtë gjendje mjekët janë heronjtë dhe me punën dhe sakrificën e tyre shpëtojnë jetë njerëzish, përcjell Telegrafi Maqedoni.“Për momentin, shëndetësia dhe punëtorët shëndetësor janë shtylla kryesore në vend. E di që po mbani një ngarkesë të madhe tani. Lodhja ngadalë po arrin tek të gjithë dhe ditë më të vështira po na presin. Por besoj se secili nga ju e di se sa e rëndësishme është të këmbëngulni, të qëndroni të përkushtuar, të përqendroheni dhe të bëjmë çmos për t’u ndihmuar bashkëqytetarëve tanë”.

“Të dashur kolegë, tani është shumë e rëndësishme të kujdeseni për veten dhe shëndetin tuaj. Ju jeni të parët që e goditni virusin dhe ju duhet të mbroheni. Pa përjashtim, mbroni veten në vendin e punës dhe më gjerë. Kujdesuni për veten tuaj që të mund të vazhdoni të kujdeseni për pacientët”.

“Kjo ditë është dita juaj, ju jeni në piedestal. Jini krenarë për atë që bëni, kush jeni dhe sa të rëndësishëm jeni për secilin nga ne. Ju uroj ditën e shëndetësisë dhe punëtorëve shëndetësorë dhe ju falënderoj sinqerisht për gjithçka që bëni për të kapërcyer krizën”, thotë Filipçe në urim.