Fjalimi i drejtorit Asani, në Akademinë shkencore

Të nderuar drejtorë institucionesh, studiues dhe ju që po na ndiqni përmes rrjeteve sociale,

Jam shumë i nderuar që sot po ju drejtohem për t’ju dëshiruar mirëseardhje në Shtëpinë e Dytë të Alfabetit, pra në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Mund të jetë koincidencë, por bukuria qëndron pikërisht në këso koincidence. Alfabeti i shqipes, që u ndihmua aq shumë prej misionarëve amerikanë, u vulos më 22 nëntor 1908, ndërsa Instituti ynë u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është i vendosur në objektin e ish Ambasadës Amerikane në Shkup.

Të nderuar të pranishëm,

Ne jemi në përfundim e sipër të edicionit të dytë të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit” dhe, ashtu si gjithnjë në nëntorin e abecesë, ndjehemi të ngazëllyer që nesër mund të festojmë bashkërisht ditën kur shqipja jonë u bë me alfabet të saj.

Besoj se jeni të informuar, ndonëse ky edicion kaloi në masa sigurie për shkak të pandemisë, por dua t’ju informoj se këtë vit Ditët e Alfabetit iu kushtuan iluministeve shqiptare. Ia filluam me Nexhmije Pagarushën e Hanife Sejfullah Reçanin, si dy zëra mbase më të rëndësishëm të traditës sonë muzikore, vazhduam me gjuhëtaren Olivera Jashar Nasteva, mbesën e Jashar bej Shkupit të Lidhjes së Prizrenit dhe bijën e Emin Bej Kumbaraxhit të Kongresit të Manastirit, një ditë ia kushtuam prof. Exhlale Dobruna Saliut – arkeologes së madhe të Kosovës, por jo vetëm, të enjten u nderuam me emrin e Nënës Terezë, dje folëm për akad. Floresha Dadon – studiuese e njohur e letërsisë, për të ardhur sot në këtë akademi shkencore, e për ta kurorëzuar manifestimin me nderimin për rilindësen nga Manastiri, Parashqevi Qiriazi.

Kundruar edhe vetëm kështu, mendoj se pak a shumë ia kemi dalë që gjithkund ku preket alfabeti shqip, të nxjerrim nga një personalitet kulturor e shkencor të gruas shqiptare, me shpresë se të gjitha këto treten dhe frymëzohen në figurën e Parashqevisë, që ne e kemi emërtuar “Zonja e Parë e Alfabetit”.

Shumë të nderuar të pranishëm,

Kur sot po e organizojmë këtë akademi tradicionale shkencore, ndjej detyrim t’ju falënderoj të gjithëve që sot jeni këtu dhe t’ju them se prania juaj është nder dhe mirënjohje për ne për të vazhduar në këtë detyrë.

E nëse më lejoni të them dy gjëra për Kongresin e Manastirit, do të thosha se ky kongres është faqja tjetër e Lidhjes së Prizrenit dhe sintetizimi më i saktë i përpjekjeve iluministe të rilindësve tanë për ndriçimin e kombit. Shqipëria e ka Vlorën e pavarësisë, Kosova e ka Prizrenin e Lidhjes, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë Kongresin e Manastirit. Andaj, në frymën e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore që kultivohen sot, unë kam shpresë se ne shqiptarët dimë të bashkëpunojmë mes vete, por edhe me të bashkëjetojmë edhe më kombet e tjera dhe të komunikojmë me empati edhe me kombin maqedonas, si dhe të punojmë bashkërisht për një ardhmëri më të mirë dhe europiane të gjithë rajonit.

Të parët tanë na lanë alfabet, ndërsa ne duhet të lëmë vepra. Nëse sot i falënderojmë ata për punën e tyre, do të duet ta dimë se edhe neve nesër do të na falënderojnë ose do të na gjykojnë për atë që e kemi bërë sot.

Unë ju faleminderit për praninë tuaj sot, me çka përveç respektit që keni shfaqur ndaj nesh, e keni nderuar edhe festën e alfabetit dhe ngjarjen e madhe të Kongresit të Manastirit.

Uroj që kështu të takohemi çdo vit dhe gjithnjë të kemi mundësi të komunikojmë e të kremtojmë.

Ju faleminderit.