Komuna e Skenderajt ndan 139 mijë euro për luftimin e korona virusit

Në mbledhjen urgjente të Kuvendit Komunal, është miratuar propozim vendimi im për bartjen e mjeteve financiare për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Më anë të këtij vendimi kemi vënë në dispozicion 139 mijë euro të bartura nga Drejtoria e Urbanizmit, mjete këto që do të shfrytëzohen për mbulimin e kërkesave dhe nevojave të Shtabit Emergjent të Skenderajt me saktësisht për menaxhimin e situatës së krijuar nga ky virus, duke përfshirë këtu furnizimin me barna ose përkrahjen për rastet sociale.

Në këtë seancë kërkova nga anëtarët e Kuvendit Komunal, që të propozojnë tre anëtar për tu bërë pjesë e punës së Shtabit Emergjent dhe tre anëtar të tjerë për Komisionin për monitorim të mjeteve të ndara.

Informova asamblistët e Kuvendit Komunal, për hapat që ka ndërmarrë komuna për parandalimin e infektimit me virusin COVID-19, duke përfshirë anulimin e seancave të Kuvendit Komunal si dhe në koordinim me OVL-UÇK, anulimin e të gjitha aktiviteteve përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e Skenderajt.

Theksova po ashtu se kemi bërë pastrimin e dezinfektimin e rrugëve, të gjitha hyrjet e banesave në Skenderaj, kurse tani është në procedurë edhe dezinfektimi i institucioneve shkollore, shëndetësore, atyre të sigurisë etj.

Bëra të ditur po ashtu se me qëllim të identifikimit paraprak të pacientëve të prekur me COVID-19 është vendosur tenda me ekip mjekësor në hyrje të QKMF-Skenderaj, si masë preventive. Gjithashtu për të regjistruar personat që kanë ardhur në Skenderaj, në dy javët e fundit, është lansuar edhe platformën online ku qytetarët po regjistrohen dhe QKMF- po i kontakton rregullisht për t’u siguruar që gjendje e tyre është stabile.

Potencova edhe veprimet e ndermarra nga Inspektorati, i cili në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka shqiptuar disa gjoba por edhe ka mbyllur disa lokale të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë për mbyllje.

Para asambleistëve falënderova për përkrahjen dhënë familjeve në nevojë shoqatat e bizneset e ndryshme, shoqatën “Jetimat e Ballkanit me hoxhën Halil Kastrati, “Duart e Bamirësisë, fondacionin “Firdeus” të hoxhës Elvis Naçi si dhe biznesin “Elkos Grup”.

Në fund kërkova nga asambleistët që si përfaqësues të qytetarëve të na ndihmojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për t’iu përmbajtur vendimeve e rekomandimeve të institucioneve tona shtetërore.

Në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve!

Pa frikë e panik por me kujdes të shtuar jemi bashkë dhe do t’ia dalim!