Komunat pa Covid 19!

Në afër 40 komuna në Maqedoninë e Veriut nuk është regjistruar asnjë i infektuar nga Covid19. Autoritetet bëjnë thirrje që të rruhet ky stad duke respektuar maksimalisht rekomandimet e institucioneve të sigurisë dhe shëndetësore. Ndërkohë që autoritetet lokale thonë se bëjnë të pamundurën që të ruajnë gjendjen aktuale nëpër komunat e tyre

Destan JONUZI

Shkup, 13 prill – Komunat Saraj, Haraçinë, Studeniçan, Çuçer Sandev, Zelenikov, Likov, Rankovc, Kratov, Obleshev, Karbinci, Berov, Delçeva, Çashka, Vinic, Valandov, Dojaran, Bogdanc, Negotina, Demir Kapi, Gradsko, Çashka, Dolneni, Krivogashtani, Demir Hisari, Resnja, Mogila, Novaci, Debarca, Vevçani, Kërçova, Mavrova, Vrapçishti, Bogovinja, Brvenica, Tearca, Jegunovca, Zhelina, Sveti Nikole, Lozovo, janë komunat me zero të infektuar me Covbid19. Por çfarë bëjnë institucionet që të rruhet kjo gjendje?

Drejtori i Instituti të Shëndetit Publik (ISHP), Shaban Memeti thotë se që kjo gjendje të mbetet në këtë stad duhet që të respektohen me përpikëri rregullat e kufizimit të lëvizjes, si dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje virusi Covid19. “Në kontakt me qendrat e shëndetit publik ne në vazhdimësi përcjellim se si dhe sa respektohen kufizimet në këto komuna, si dhe përcjellim kontaktet që mund të kenë qytetarët e këtyre vendbanimeve me ndonjë të infektuar. Komunat që nuk kanë raste të të infektuarve duhet që të respektojnë në përpikëri rregullat e kufizimit të lëvizjes dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore”, deklaroi për KOHA, Shabani.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Zhelinës, Jasin Demiri thotë se masat që ndërmerren nga Komuna e Gostivarit, kanë rezultuar shumë të suksesshme deri tani. “Ndërmarrja publike “Komunalec” në koordinim me Komunën e Gostivarit ka pastruar për çdo natë, çdo rrugë të qytetit. Kemi vendosur mjet dezinfektues para hyrjes në objektin e Komunës së Gostivarit. Kemi dezinfektuar dhe pastruar të gjitha objektet kolektive. Kemi dezinfektuar çdo fshat me mjete të posaçme për dezinfektim. Kemi vendosur dezinfektues dhe pastrues higjienik në disa pjesë të qytetit tonë. Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me disa nga biznesmenët e Gostivarit, ka mbajtur takim dhe kemi realizuar një buxhet, për t’u ndihmuar familjeve në nevojë në këto kohëra të vështira. Kemi dezinfektuar dhe pastruar parqet e qytetit tonë. Kemi qenë për 7 ditë me radhë pa asnjë të infektuar me virusin COVID-19, ndërsa sot kanë rezultuar vetëm 5 pozitiv. Natyrisht që këto rezultate nuk do të vinin pa përkushtimin maksimal dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve tonë, të cilët u janë përmbajtur rekomandimeve të OBSH-së dhe institucioneve vendore”, deklaroi për KOHA, Demiri.

Në mesin e komunave me zero të infektuar nga Covid19 është edhe Komuna e Studeniçanit. Kryetari i kësaj komune, Azem Sadiki në prononcim për KOHA thotë se kjo komune që në fillim të pandemisë e ka formuar Shtabin e krizës në të cilin ka edhe përfaqësues nga policia. “Përpjekjet tona janë që tu përmbahemi maksimalisht rekomandimeve nga Shtabi Qendrorë i krizës. Fatmirësisht deri tani nuk kemi të regjistruar rast me virusin, dhashë Zoti që kështu të ngelë. Që në fillim kemi filluar me dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike, objektin e komunës, shkollat, xhamit si dhe rrugët dhe hapësirat ku më së shumti qarkullojnë qytetarët. Bashkëpunimi me policinë është në nivel, në fillim kemi pas koordinim të mirë kur ishin rastet e izolimit të qytetarëve që vinin nga jashtë duke i kontrolluar për çdo ditë dhe kjo me siguri ka pas sukses për mospërhapjen e epidemisë”, deklaroi Sadiki. Ai iu bënë apel qytetarëve të Komunës së Studeniçanit, që t’u përmbahen edhe në të ardhmen rekomandimeve dhe sa më shumë t’u shmangemi lëvizjeve, që ta kalojmë sa me më pak pasoja këtë epidemi.

Ndryshe, top 10 e komunave me më shumë të infektuar me Covid19 në Maqedoni e përbëjnë Shkupi, Kumanova, Dibra, Prilepi, Struga me rrethinë, Shtipi, Tetova me rrethinë, Velesi, Ohri, Kavadarci.