Kovid 19/ Hyjnë në fuqi kufizimet e reja të lëvizjes!

Në RMV Filloi zbatimi i orës policore në nivel shtetëror nga ora 16:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Me vendimin e fundit të Qeverisë, në vikend ora policore do të zbatohet 24 orë, duke filluar nga ora 16 të premten deri të hënën në orën 5 të mëngjesit.

Sipas vendimit të Qeverisë, personat mbi moshën 67 vjeçare mund të dalin jashtë në periudhën prej orës 10:00 deri në orën 12:00, ndërsa për të rinjtë deri në moshën 18 vjeç u ndalohet lëvizja gjatë gjithë ditëve të punës, prej të hënës deri të premten, përveç në periudhën prej orës 13:00 deri në orën 15:00. Gjithashtu ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve në vende publike dhe hapësira publike në grupe më të mëdha se dy persona, me ç’rast është e lejuar prindi të jetë në grup më të madh me fëmijët e tij deri në 14 vjeç.
Për aktivitetet bujqësore lejohet lëvizja brenda territorit të fshatrave, edhe atë vetëm për nevoja pune. Sa i përket marketeve, ata duhet të rregullojnë orarin e tyre të punës në përputhje me ndalimet e lëvizjes në territorin e vendit dhe të organizojnë pa probleme procesin e punës. Qeveria ka vendosur që për personat me aftësi të kufizuara, ndalimi i lëvizjes nuk do të zbatohet në periudhën nga ora 19:00 deri në ora 20:00, nga e hëna deri të premten, kurse gjatë fundjavave nga ora 11:00 deri në 13:00.Vendimi është marrë me kërkesë të Ministrive të Shëndetësisë dhe Punës dhe Politikës Sociale.Leje për qarkullim gjatë këtij orari do të kenë edhe kujdestarët ose shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara.
Shtabet komunale të krizave duhet të përcaktojnë markete që do të sigurojnë artikujt më thelbësorë ushqimore gjatë ndalesës për lëvizjes, ndërsa ato markete që janë regjistruar për të furnizuar ushqim me porosi në internet, të kryejnë punën e tyre pa probleme të shtunave dhe të dielave. Shtabet së bashku me Ministrinë e Brendshme, duhet të organizojnë lëvizjen e vullnetarëve që do të shpërndajnë ushqimet më të nevojshme në shtëpitë e qytetarëve.
Masa shtrënguese për orë policore nga ora 16 erdhi pas zbatimit të saj në Kumanovë javën e kaluar. Me qëllim parandalimin efikas të përhapjes së virusit Korona, Qeveria ka kufizuar edhe lëvizjen e më shumë se dy peronave në vendet dhe hapësirat publike.