Kurti: Ata që e rrënuan sistemin shëndetësor, nuk mjekoheshin në spitalin e shtetit, andaj nuk investuan!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrat e qeverisë së Kosovës, ka zhvilluar takim, me Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, shkruan GazetaBlic.

Në këtë mbledhje, Kurti ka thënë se tashmë është e qartë se pandemia COVID-19 ka ndezur një krizë ekonomike në mbarë botën.Sipas Kurtit masat e marra për ta parandaluar dhe zvogëluar përhapjen e saj kanë ulur aktivitetet ekonomike në ekonominë reale.

Ai tutje tha se ata që me vite rrënuan sistemin shëndetësor, nuk shëroheshin te mjeku dhe spitali i shtetit, prandaj edhe nuk investuan në shëndetësinë publike.Shkrimi i plotë:Me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave bashkëpunues ndërinstitucional, sot u mbajtë mbledhja e XI e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u mor vendimi për themelimin e grupit koordinues për trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat, si rezultat i përballjes me pandeminë COVID-19.

Kjo është fjala ime në këtë takim:E nderuara Ministre Hajdari,
I nderuar Ministër Bislimi,
I nderuar Ministër Abdixhiku,
I nderuar Ministër Vitia,
I nderuar Ministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të Odave Ekonomike dhe Shoqatave të Bizneseve,
Të nderuar përfaqësuese nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik,Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në këtë kohë kaq të rëndësishme dhe të pazakontë.Tashmë është e qartë se pandemia COVID-19 ka ndezur një krizë ekonomike në mbarë botën. Masat e marra për ta parandaluar dhe zvogëluar përhapjen e saj kanë ulur aktivitetet ekonomike në ekonominë reale. Në të njëjtën kohë, edhe oferta edhe kërkesa kanë pësuar shok negativ. Rrjedhimisht, më pak punohet, më pak prodhohet, më pak fitohet, dhe më pak shpenzohet.Këtij procesi global të efekteve zingjirore në ekonomi, nuk ka pasur se si t’i shpëtojë as ekonomia jonë. Dhe, ndikimit negativ në të hyra, si pasojë e këtij procesi, nuk ka se si t’i shpëtojë as Qeveria jonë.Paparashikueshmëria dhe pasiguritë rreth ngjarjeve të reja, që po shpalosen nga ora në orë, na bëjnë që ndonjëherë të veprojmë shpejt e ndonjëherë të kemi durim, në mënyrë që të mos gabojmë. E ndonjëherë edhe të përballemi me dilema të cilat në shikim të parë mund të duken të drejta, por që nuk janë të tilla.Dilema mes shëndetit dhe ekonomisë është fallso. Një shoqëri e shëndoshë pa ekonomi të zhvilluar e ka zor të qëndrojë e tillë për shumë gjatë. Por, edhe një ekonomi pa një shoqëri të shëndoshë e ka zor të zhvillohet. Pra, na duhen të dyja: edhe shëndeti edhe ekonomia.Dallimi mes tyre është vetëm çështje kohe. Po i larguam masat shumë vonë, do ta pësojë ekonomia e më pas edhe shëndeti. Po i larguam masat shumë herët, do ta pësojë shëndeti e më pas edhe ekonomia. Ajo që na duhet është optimizmi, gjë që si qeveri jemi duke e llogaritur para çdo vendimi që po marrim.Ka një lidhje direkte mes shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit të ekonomisë. Shprehja i pasur e i shëndetshëm dhe i varfër e i sëmur po merr kuptim më shumë në këtë pandemi. Ne jemi vend i varfër dhe shumicën e popullit i kemi të varfër e kështu direkt më shumë të cenuar e të rrezikuar nga kjo pandemi.Ata që me vite rrënuan sistemin shëndetësor nuk shëroheshin te mjeku dhe spitali i shtetit, prandaj edhe nuk investuan në shëndetësinë publike, ama bash ata që na vodhën e mjeruan kaq shumë po na qajnë tash hallin më së shumti.Ne duhet të kuptojmë se kurrë nuk mund të kemi një shoqëri të shëndoshë pa një ekonomi të zhvilluar, e aq më pak me një ekonomi të vjedhur.
Kur kemi vendosur që t’i mbyllim disa aktivitete ekonomike, kemi tentuar që ta maksimizojmë qarkullimin ekonomik duke e minimizuar dëmin shëndetësor. Kështu, mbi 82% të aktiviteteve ekonomike i kemi lejuar të qarkullojnë, dhe më pak se 18% i kemi mbyllur përkohësisht.Duke e ditur se edhe mbyllja e përkohshme do të rezultojë në humbje, kemi dizajnuar një Pako Emergjente Fiskale prej 15 masash në vlerë prej rreth 180 milionë eurove. Para këtyre, 10 milionë euro i kemi ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë. Pra, deri tani, gjithsej për emergjencë i kemi ndarë 190 milionë euro.Meqë jemi në kohë pandemie, më lejoni që ta bëjë një analogji të trajtimit ekonomik me atë mjekësor.Pakoja Emergjente Fiskale është ndihma e parë që i jepet pacientit në emergjencë. Ajo nuk është terapia afatgjatë që i jepet për kurim. Sepse fillimisht duhet parandalim të përkeqësimit të gjendjes dhe stabilizim. E më pas vjen terapia afatgjatë për kurim dhe observim.Kjo do të thotë që Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë – atë të rimëkëmbjes ekonomike. Ajo do të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë. Dhe, në këtë proces duhet të angazhohemi bashkërisht.Angazhimi i përbashkët nënkupton edhe renditje të prioriteteve dhe llogaritje të përbashkët. Vetëm kështu mund të bëjmë llogaritje racionale.Parashikimet aktuale për ndikimin në ekonominë e Kosovës variojnë nga ai më optimist – i një rënie vjetore të Bruto Produktit Vendor prej 1.6% sipas Bankës Botërore, deri tek ai më pesimist i një rënie vjetore prej 5% sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Natyrisht se këto llogaritje pritet të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve, por duhet gjithnjë t’i kemi parasysh kur i shtrojmë nevojat dhe kërkesat.Në mënyrë që ato të plotësohen, nevojitet një harmonizim mes këndvështrimit mikroekonomik të bizneseve me atë makroekonomik të qeverisë.Ne e dimë që rreth 99% e ndërmarrjeve në Kosovë janë mikro, me 1-9 të punësuar ku përgjithësisht janë biznese familjare një lloj vetë punësimi familjar. Dhe, natyrisht që jemi shumë të interesuar që këto ndërmarrje të kalojnë me sa më pak dëme. Poashtu, jemi shumë të interesuar që të kemi sa më pak dëme në punësim, prodhim, e eksport.Gjatë hartimit të Pakos Fiskale për rimëkëmbje ekonomike, do t’i optimizojmë synimet dhe nevojat tona. Me synim solidaritetin, do të ndihmojmë më shumë aty ku ka më shumë nevojë. Me synim zhvillimin, do të ndihmojmë aty ku mund të rritet punësimi dhe eksporti.Vetëm kështu mund të shpresojmë për një rimëkëmbje që do të jetë më shumë si shkronja V, pas rënies së shpejt do të ngritemi shumë shpejt, sesa le të themi si shkronja U, ku pas rënies së shpejtë do të na duhet kohë për t’u rimëkëmbur.Duhet ta kemi parasysh që nga kjo krizë ekonomike nuk do të dalim ashtu siç jemi futur. Sa më parë që e kuptojmë këtë, aq më herët do të fillojmë të mendojmë për alternativa.Krizat edhe historikisht jo vetëm te ne janë sfida, por dhe mundësi. Tash është koha kur duhet të bëhemi inovativ.Mbase as mënyra se si kanë operuar shumë biznese dhe as masat e qeverisë nga e kaluara nuk do të jenë më relevante në një periudhë më afatgjatë. Prandaj, na duhet ta çlirojmë imagjinatën dhe të kërkojmë horizonte të reja.Nëse diçka na ka mësuar kjo krizë është rëndësia e shtetit të zhvilluar dhe të qëndrueshëm, jo e njerëzve të fuqishëm, por e shtetit të fuqishëm.Po ashtu kjo krizë na ka mësuar se shëndetësia është zemra e shtetit. Varfëria, korrupsioni, degradimi i vlerës së edukimit dhe dijes ka bërë që shumë doktorë të rinj të lëshojnë Kosovën e shumë të tjerë të mos studiojnë fare shëndetësinë. Sot po e paguajmë këtë çmim të mungesës së infektologëve, të infermierëve e të doktorëve. Kanë ikur mjekët.Kjo është kostoja e korrupsionit. Pra korrupsioni nuk është vetëm pasurim i paligjshëm e vjedhje nga politikanët, por edhe dëmtim e vjedhje e së ardhmes.Ekonomia të cilën do ta ndërtojmë pas kësaj krize duhet të punojë për të gjithë. Ajo është një ekonomi ku puna dhe përgjegjësia shpërblehet, ku secili merre pjesën që meriton dhe paguan kontributin që i takon. Një ekonomi e orientuar në mundësi dhe shanse të barabarta.Të nderuar pjesëmarrës të kësaj mbledhjePresim dhe kërkojmë bashkëpunimin tuaj për të gjetur zgjidhjet më optimale. Veprimet e deritanishme të kësaj Qeverie kanë treguar përkushtimin tonë për ekonominë. Por, nëse masat e deritanishme nuk ua kanë mbushur syrin, masat që do t’i marrim tash e tutje do t’ua tejkalojnë pritjet. Për këtë, ju siguroj.Ju falemnderit.