Kurti prezanton 15 masat e parapara në Pakon Emergjente Fiskale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë prezantuar masat e parapara në Pakon Emergjente Fiskale Emergjente.

Me këtë rast, ai duke prezantuar 15 masat e Pakos Emergjente Fiskale, theksoi se kjo është dizajnuar për të arritur disa qëllime.
“Të ofrojë ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë pas pandemisë COVID-19, të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, si dhe të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente”, tha Kurti.

Po ashtu, ai shprehu bindjen që krahas kujdesit për shëndetin publik, qeveria në detyrë nëpërmjet kësaj pakoje fiskale emergjente po kujdeset edhe për shëndetin e ekonomisë, e cila më pastaj pasohet nga pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Masa 1 – Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj).

Masa 2 – Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj).

Masa 3 – Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente dhe atë:
– mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro (2 muaj);
– subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; dhe
– mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.

Masa 4 – Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020).

Masa 5 – Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro).

Masa 6 – Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj).

Masa 7 – Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj).

Masa 8 – Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj).

Masa 9 – Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 2 milionë euro.

Masa 10 – Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:
– mikro-ndërmarrjet dhe të vetë–punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në 10 mijë euro për periudhën 2 vjeçare, në vlerë deri në 15 milionë euro; dhe
– shoqëritë tregtare/kompanitë e autorizuara të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej 5 milionë euro euro.

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej 5 milionë euro.

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në 10 milionë euro.

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga 130 euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në 6 milionë euro.

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës dhe kjo për muajin prill, maj dhe qershor, në vlerë deri në 3 milionë euro.