Masat ekonomike të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës, në tetë pika

Partia Demokratike e Kosovës, pas situatës së krijuar nga pandemia, propozon masat ekonomike për përballimin sa më të suksesshëm të kësaj situate si në vijim:

Qeveria duhet të krijojë një linjë të kreditimit emergjent 2 vjeçar, me interes zero, për bizneset e dëmtuara nga situata emergjente, për të mbuluar shpenzimet operative. Vlera 80 milionë euro.

Mbulimi i pagesave të punëtorëve të kompanive private që janë të detyruara të ndërpresin veprimtarinë gjatë situatës emergjente si dhe subvencionimi i qirave për këto kompani, së paku 50% e vlerës. Vlera 300 euro për çdo punëtor në sektorin privat për tre muajt e ardhshëm.

Shtimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore për të stimuluar kompanitë private që të rimëkëmben nga situatës.

Shtimi i pagës për punonjësit shtetërorë që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër Covid-19 e që janë stafi shëndetësor, policia, zjarrfikësit, FSK-ja etj. 300 euro, ndërsa 150 euro duhet të ndahen edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike që ndërlidhen me shërbimet bazike të domosdoshme, në nivel qendror dhe lokal.

Sjellja e vendimit detyrues për të pushuar për tre muaj afat i shlyerjes së këstit të kredive për të gjitha bizneset dhe individët.

Lehtësim tatimor duke shtyrë për tre muajt e ardhshëm deklarimin e të gjitha taksave dhe duke shtyrë pagesën e taksave për në fund të vitit 2020.

Falja e kamat-vonesave për të gjitha pagesat e rrymës, ujit dhe bërllokut të debitorëve të deritanishëm si dhe për muajt e ardhshëm të situatës së jashtëzakonshme.

Krijimi i Fondit Humanitar me vlerë 40 milionë euro për të financuar furnizimin me ushqim e me produkte esenciale për kategoritë në nevojë si dhe për mbuluar kostot e barnave për të moshuarit me mbi 60 vjeç.