Një libër në kohën e duhur – nga Prof. Dr . Ylber Sela

Libri në vete ngërthen dëshmi të shumta që zbardhin të vërteta (TË VËRTETIN) të dekadave të fundit sa i përket organizimit klandestin dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe për rolin e „Abazit“ gjatë këtyre dy dekadave të fundit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Prof. Dr. Ylber SELA

Monografia “I vërteti” është një libër që erdhi në kohën e duhur, për dy arsye themelore. Së pari, erdhi në kohën e duhur pasi ai botohet në 30 vjetorin e demonstratave të mëdha të vitit 1981, në të cilat do të ishte pjesë e rëndësishme edhe personazhi kryesor i këtij libri, Ali Ahmeti.

Libri është homazh i merituar për gjithë atë brez që hapi një epokë të re në të ardhmen shqiptare. Erdhi në kohën e duhur, së dyti, pasi, duke pasur në themel të tij jetën e një figure të shquar politike, ai shfaqet menjëherë pasi me keqdashje u hodhën në tregun mediatik sajesa dhe trillime të përbindshme jo vetëm ndaj figurës së Ali Ahmetit e bashkëpunëtorëve të tij, por edhe ndaj forcave çlirimtare, të tubuar rreth Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Libri në vete ngërthen dëshmi të shumta që zbardhin të vërteta (TË VËRTETIN) të dekadave të fundit sa i përket organizimit klandestin dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe për rolin e „Abazit“ gjatë këtyre dy dekadave të fundit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Në veçanti del në këtë libër roli tanimë i mirënjohur i Ali Ahmetit gjatë dekadës së tretë në veprimtarinë e tij si lider politik nëpërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni.

Libri botohet në kohën dhe momentin e duhur, si një dëshmi për të nxjerrë burime dhe sqaruar elemente, raste, ngjarje dhe momente, të cilat lexuesve shqiptarë do t’u reflektojnë dritën e së vërtetës dhe dosjen e vërtetë të Ali Ahmetit dhe të ngjarjeve me të rëndësishme që përjetuan shqiptarët në tri dekadat e fundme të tyre.

Botimi i këtij libri me siguri ka motivuar autorin që t’i bëjë publike të gjitha dëshmitë dhe kujtimet e tij sa i përket këtij procesi të vështirë, me baticat dhe zbaticat e tij, duke i ndërlidhur nyje pas nyje rolin dhe aktivitetin e figurës së zotit Ali Ahmeti e të bashkëpunëtorëve dhe shokëve të tij, si student në Prishtinë, si veprimtar i organizimit të shqiptarëve në Zvicër dhe si bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Nëse do të shqyrtonim librin faqe për faqe, atëherë do të kuptonim skenat dhe prapaskenat e ngjarjeve dhe të momenteve më të rëndësishme të organizimit shqiptar brenda këtyre tri dekadave të fundit, duke u informuar dhe duke u njohur me emra protagonistësh tanimë të mëdhenj, disa nga të cilët nuk janë më në mesin tonë, si: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Ardian Krasniqi, Ismet Jashari; por dhe me të tjerë që kanë marrë përsipër lidershipin në Kosovë dhe Maqedoni, si Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Ramush Haradinaj, Fazli Veliu, Musa Xhaferri, Xhevat Ademi, Tahir Hani, Hazbi Lika, etj., dhe përfaqësues të tjerë politikë e ushtarakë, nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët kanë ndërtuar së bashku me Ali Ahmetin historinë e re të shqiptarëve në Ballkan, Europë dhe në botë.

Nuk ka mëdyshje se Ali Ahmeti, si figurë kryesore, së bashku me bashkëpunëtorët dhe shokët e tij, arriti për tri dekada ta kurorëzojë me sukses ëndrrën e tij të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë së Titos dhe Millosheviçit, duke u hapur rrugën shqiptarëve për të përparuar në drejtim të realizimit të aspiratave të tyre. Autori i librit, Bedri Islami, jep shënime të cilat tregojnë qartazi mbijetesën, sfidat, shantazhet, përçarjet, që vinin jo vetëm nga shërbimet sekrete të Jugosllavisë, por herë pas here edhe nga shqip-folësit, dhe ky ishte shkaku që kohë pas kohe çonte në humbjen dhe vrasjen e figurave të rëndësishme të patriotëve shqiptarë. Prandaj shfrytëzoj rastin që nëpërmjet kësaj analize, të them se ata që duan ta njohin të vërtetin dhe të vërtetën mbi këto ngjarje duhet ta lexojnë me kujdes këtë libër informativ e përmbajtjesor, që e ka sjellë në dritë z. Bedri Islami. (…)

Ky libër vjen si respekt për luftërat heroike që u zhvilluan në trojet tona, duke ndihmuar dhe plotësuar për të pasuruar me informacione e fakte reale të ngjarjeve të luftës se vitit 1999 në Kosovë dhe 2001 në Maqedoni. Po ashtu, nëpërmjet këtij libri kup­tova edhe një gjë shumë të rëndësishme dhe me vlerë: se rrugëtimi i Ali Ahmetit, ëndrra dhe angazhimi i tij, ende nuk kanë përfunduar, por ai ende ka ruajtur energji dhe forcë bashkimi, dhe se ëndrra e tij do të përfundojë atëherë kur shqiptarët, të bashkuar, do të jenë në familjen evropiane.

Autorit, veprimtarit të shquar z. Bedri Islami, i uroj suksese, dhe përfitoj nga rasti edhe njëherë t’i shpreh atij mirënjohjen për punën e madhe dhe të çmueshme për shkrimin e këtij libri dhe të librave të tjerë, duke ofruar dëshmi të gjalla dhe informacione të rralla, që përbëjnë një bazë shumë të fortë referimi për të gjithë ne, duke na shërbyer për të edukuar breza të rinj që të mësojnë të vërtetën e veprimtarisë se z. Ali Ahmetit dhe figurave të tjera, të cilat kanë lënë gjurmë në realizimin e aspiratave të shqiptarëve.