Osmani: Qeveria ka plane me të cilët do të përkrahet ekonomia e dibranëve

Përfaqësuesit më të lartë të Qeveris së Republikës së Maqedonisë të kryesuar nga kryeministri teknik Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri Bujar Osmani, ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev dhe përfaqësues të armatës vizituan Dibrës, një dit pas përfundimit të situatës së krizës. Ata takuan para objektit të Komunës kryetarët e komunave Dibër, Hekuran Duka dhe atë të Qendër Zhupës, Arjan Ibrahim. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të Shtabit komunal të krizës dhe institucioneve lokale.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani lavdëroi kryetarin e Dibrës, Hekuran Duka dhe Shtabin e krizës, si dhe kryetarin e Qendër Zhupa për angazhimin që patën gjatë situatës së krizës. Ai tha se Dibra dhe dibranët, si dhe banorët e Komunës Qendër Zhupë, treguan se janë të disiplinuar në lidhje me mbrojtjen e shëndetit.

Osmani shtoi se Qeveria në çdo moment gjatë periudhës që kaloi ishte afër Dibrës dhe kontaktet me Shtabin ishin të rregullta. “Ftoj dibranët të vazhdojnë respektimin e Shtabit të krizës, ndërsa ju sigurojmë se Qeveria ka plane me të cilët do të përkrahet ekonomia e dibranëve”, tha Osmani.

Kryeministri Spasovski me këtë rast falënderoi dibranët dhe udhëheqësit e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë për disiplinën që patën në 30 ditët që kaluan situatën e krizës. Ai së pari ngushëlloi familjet e katër personave që ndërruan jetë nga koronavirusi dhe njëkohësisht u dëshiroi shërim të shpejt të sëmurëve nga ky virus. “Jemi duke kaluar një periudhë të rëndë në luftën kundër këtij armiku të panjohur. Megjithatë, banorët e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë janë një shembull i mirë se si me disiplinë mund të tejkalohen problemet”, tha Spasovski, ndërsa shtoi se një domethënie të madhe gjatë muajit që kaloi patën kryetarët e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë së bashku me Shtabet e krizës.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi edhe probleme të shumta ekonomike në këtë moment. Qeveria ka plane dhe masa me të cilën do t’ju ndihmohet këtyre dy komunave, por edhe komunave në përgjithësi në vend. Duke marrë parasysh situatën në vend dhe në mbarë botën, duhet gjithmonë të kemi parasysh largësinë sociale dhe të respektojnë masat e Qeverisë”, u shpreh Spasovski.

Në ndërkohë, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, falënderoi në radhë të parë banorët për korrektësinë që kishin gjatë 30 ditëve të kaluara. Duka tha se kaloi situata e krizës, por sipas tij, vazhdon lufta me koronavirusin që do të thotë se nga banorët kërkohet të respektojnë tërësisht masat Qeveritare. “Kemi shumë dëme ekonomike dhe presim një përkrahje nga Qeveria”, tha Duka. Ai potencoi se edhe pse tani Dibra nuk e ka masën e situatës së krizës, do të vazhdojë tërësisht të respektoj masat që vlejnë në gjithë vendin. Një falënderim të madh Duka dha për punëtorët e shëndetësisë dhe të angazhuarit në Shtabin e krizës. Kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arjan Ibrahim, në këtë takim theksoi se edhe Zhupa dhe Dibra treguan një pjekuri të lartë në situatën e krizës. “Qendër Zhupë është një me Komunën e Dibrës dhe domethënia e punës së Shtabit të krizës në Dibër është shumë e madhe. Tani gjendemi para një periudhe po ashtu të rëndë, meqë do të duhet të vazhdojmë luftën me koronavirusin”, tha Ibrahim.