Pse po deformohet “Monstra”?

Deformimi i serishëm i procesit “Monstra” nuk do të arrij të sjellë argumente shtesë se gjoja shqiptarët janë autorë të vrasjes së pesëfishtë. Manipulime mund të bëhen, por nuk mund të rikonstruohet një ngjarje sipas skenarëve që janë të rezervuar për shqiptarët si terrorist. Ky skenar nuk pi ujë te shqiptarët. Prokuroria Special duhet të ftoj dëshmitarë të vërtetë, sepse vetëm ata e dinë se cilët janë vrasësit e vërtetë. Gjithçka tjetër është lojë e tejdukshme

Nga Emin AZEMI

A ka mundësi që procesi “Monstra” sërish të deformohet përmes dëshmive të rrejshme të të ashtuquajturve “dëshmitarë të mbrojtur”. Nga seanca e së mërkurës është vërejtur një papërputhshmëri e deklaratave të këtyre dëshmitarëve dhe kjo lë hapësirë për të dyshuar se diçka nuk është në rregull me këtë proces gjyqësor. Sërish vërehet një tendencë për të paraqitur me çdo kush fajtor grupin e shqiptarëve, ndonëse dëshmitë e deritanishme nuk ofrojnë prova të fuqishme se pikërisht ata mund të jenë kryerës të veprave penale për të cilat ngarkohen.

Se diçka nuk është në rregull me dëshmitë, ka vërejtur edhe avokati Naser Raufi, i cili pretendon se deklarata e ‘dëshmitarit të mbrojtur’ nuk është identik me deklaratën e seancës paraprake, për ç’arsye edhe procesi gjyqësor u inicua që nga fillimi. Sipas Raufit, ky dëshmitar mund të jetë i instruuar nga dikush, që ende nuk dihet, dhe si i tillë ai ka dëshmuar rrejshëm. Deklaratat kontroverse të dëshmitarit na sollën në gjykim të ri, tha avokati Naser Raufi.

Pse në këtë proces të riinicuar nuk po sillen si dëshmitarë edhe prindërit e personave të vrarë? Disa prej tyre në media kishin deklaruar se i dinë vrasësit e vërtetë, madje kishin drejtuar gishtin te disa politikanë dhe ‘njerëz me kollare”, siç kishin thënë ata. Kësisoj qëndrimi i tyre fillestar ishte se prapë vrasjes së bijve të tyre qëndrojnë shkaqe kryesisht afariste,. Me kalimin e viteve ndryshuan edhe deklaratat e tyre. Madje Aleksandar Naqevski, prindi i njëri prej të vrarëve në Liqenin e Smilkovës, publikisht kërkoi nga organet e drejtësisë deklasifikimin e dëshmive dhe zbulimin e identitetit të agjentit sekret, celulari i të cilit është gjetur në vendngjarje.
Lidhur me rastin “Monstra” edhe gazeta KOHA pat trajtuar disa pista dyshimi mbi motivet dhe personat përgjegjës të implikuar në këtë ngjarje makabre, e cila mori jetën e Filipçe Sllavkovskit, Aleksanda Nacevskit, Cvetanko Acevskit, Kire Triçkovskit dhe Borçe Stefanovskit, në prill të 2012.

Përmendja e shpeshtë e ish kryeparlamentari Trajko Veljanovski, si një prej politikanëve që ka njohuri për vrasjen në Liqenin e Smilkovës, deri më sot fare nuk është hetuar nga organet e drejtësisë. Përveç Veljanovskit, si politikan tjetër i cili mendohet se posedon të dhëna për këtë rast vite me radhe përmende edhe ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski. Ndryshe, vrasja e pesë të rinjve maqedonas, po ashtu është përfolur se ka pasur lidhje me aksionin policor “Detonator” i realizuar disa javë para 12 prillit të vitit 2012, shkruante gazeta KOHA.

Se procesi “Monstra” nuk shkon sipas pritjeve të opinionit publik, që duhej të zbardhej e vërteta pa dëshmi të fabrikuara, flet edhe deklarata e Zoran Zaev, atëherë shef i opozitës maqedonase, i cili pat njoftuar se kjo ngjarje ndodhet në ‘bombat’ e tij dhe se “publikimi i materialeve për vrasjen në Liqenin e Smilkovës do të shkaktoi trazira të mëdha në vend”.

Tani, mënyra se si po vepron gjykata, duke sjellë dëshmitarë të rrejshëm, nuk korrespondon fare me pretendimin e Zaevit se ndriçimi i kësaj ngjarjeje mund të “shkaktojë trazira të mëdha në vend”.

Për çfarë trazira e kishte fjalën Zaevi dhe kush janë ata që mund ti bëjnë ato trazira? Nëse bazohemi në seancën e pardjeshme, nuk fitohet përshtypja se procesi do të zbulojë ndonjë detaj që do të ishte i mjaftueshëm për të menduar se mund të “shkaktojë trazira të mëdha në vend”. Përkundrazi dikush dëshiron që sërish të manipulojë me provat e vërteta dhe në vend të tyre – të sjellë dëshmi që nuk korrespondojnë me të vërtetën, që si synim final ka denoncimin e shqiptarëve si element terrorist.

Deformimi i serishëm i procesit “Monstra” nuk do të arrij të sjellë argumente shtesë se gjoja shqiptarët janë autorë të vrasjes së pesëfishtë. Manipulime mund të bëhen, por nuk mund të rikonstruohet një ngjarje sipas skenarëve që janë të rezervuar për shqiptarët si terrorist. Ky skenar nuk pi ujë te shqiptarët. Prokuroria Special duhet të ftoj dëshmitarë të vërtetë, sepse vetëm ata e dinë se cilët janë vrasësit e vërtetë. Gjithçka tjetër është lojë e tejdukshme.