Pse të pasurit i frikohen pandemisë?

Koronavirusi, si mortajat tjera para tij, mund të ndryshojë ekuilibrin midis të pasurve dhe të varfërve.

Në vjeshtën e vitit 1347, pleshtat e mijave që mbanin murtajën bubonike hynë në Itali përmes disa anijeve nga Deti i Zi. Gjatë katër viteve të ardhshme, kjo pandemi bëri kërdinë nëpër Europë dhe Lindjen e Mesme. Paniku përhapej gjithandej. Nyjet limfatike nën sqetullat e viktimave ajeshin si balona të fryrë, fshikëzat e zeza i mbulonin trupat e njerëzve, ethet ishin të padurueshme dhe organet dështonin. Ndoshta një e treta e njerëzve të Evropës u zhdukën.

Giovanni Boccaccio në “Decameron”-in e tij ofron një pamje trishtuese të një dëshmitari okularë: “Kur të gjitha varret ishin të stërmbushura, hendeqe të mëdha u gërmuan në oborret e kishave, në të cilat u vendosën qindra trupa të ri, të grumbulluar njëri mbi tjetrin si kutitë në kargon e anijeve.” Sipas Agnolo di Tura nga Siena (shkrimtar i kohës, Itali), “aq shumë vdiqën sa të gjithë besuan se ishte fundi i botës”.

E megjithatë ky ishte vetëm fillimi. Murtaja u kthye përsëri vetëm një dekadë më vonë dhe rikthimet periodike vazhduan për një shekull e gjysmë, duke rralluar disa breza me radhë. Për shkak të kësaj “murtaje shkatërruese që shkatërroi kombet dhe bëri që të zhdukej popullsia”, historiani arab Ibn Khaldun shkroi “e gjithë bota e banuar u ndryshua”.

Për të pasurit, disa nga këto ndryshime ishin alarmante. Sipas fjalëve të një kronisti anonim anglez, “Një mungesë e tillë për punëtorë, u mundësoi atyre t’i ngrenin hundët lartë dhe mezi mund të bindeshin për t’i shërbyer pronarëve të tokave, edhe për një pagë të trefishtë.” Punëdhënësit me ndikim, siç ishin pronarët e mëdhenj të tokave, lobuan tek oborri mbretërorë për të kaluar një ligj i quajtur Ordinance of Laborers, i cili i njoftonte punëtorët se ata ishin “të detyruar të pranonin punësimin e ofruar” për të njëjtën pagë si më parë.

Por, përderisa valët e njëpasnjëshme të murtajës zvogëluan në masë të madhe fuqinë punëtore, argatët dhe qiramarrësit “nuk ia varën veshin shumë urdhrit të mbretit”, siç u ankua kleriku augustinian Henry Knighton. “Nëse dikush dëshironte t’i punësojë ata, ai duhet t’i nënshtrohej kërkesave të tyre, sepse ose frutat dhe misri i tij do të shkatërroheshin ose ai duhej t’i nënshtrohej arrogancës dhe lakmisë së punëtorëve.”

Si rezultat i kësaj zhvendosjeje në ekuilibrin midis fuqisë punëtore dhe kapitalit, ne tani e dimë, falë hulumtimeve të mundimshme të historianëve të ekonomisë, se të ardhurat reale të punëtorëve të pa-kualifikuar u dyfishuan në pjesën më të madhe të Evropës brenda disa dekadave. Sipas dokumenteve tatimore që kanë mbijetuar në arkivat e shumë qyteteve italiane, pabarazia e pasurisë në shumicën e këtyre vendeve pati një rënie të madhe. Në Angli, punëtorët hanin dhe pinin më mirë sesa ata përpara murtajës dhe madje visheshin me rroba që ishin të rezervuara për punëdhënësit e tyre. Në të njëjtën kohë, pagat e larta dhe qiratë e ulëta i shtrydhën pronarët, shumica e të cilëve nuk arritën të mbanin privilegjin e tyre të trashëguar. Nuk kaloi shumë kohë, dhe kishte shumë më pak lorda, shumë më pak fisnikë, të mbetur me prona të pakta, sesa kishte patur para se të godet për herë të parë murtaja.

Por këto rrethana të reja nuk erdhën rastësisht. Për shekuj dhe mileniume me radhë, murtaja të mëdha dhe tronditje të tjera të rënda, kanë formuar preferencat politike dhe vendimmarrjen. Si rezultat, zgjedhjet e politikave përcaktuan nëse pabarazia rritet ose bie si përgjigje ndaj fatkeqësive të tilla. Dhe historia na mëson se këto zgjedhje mund të ndryshojnë shoqëritë në mënyra shumë të ndryshme.

Duke i analizuar analet historike në të gjithë Evropën gjatë Mesjetës së vonë, mund të shohim që elitat nuk u dorëzuan menjëherë, madje edhe nën një presion ekstrem si rezultat i një pandemie. Gjatë Kryengritjes së Madhe të fshatarëve të Anglisë në 1381, punëtorët kërkuan, mes tjerave, të drejtën për të negociuar lirshëm kontratat e tyre të punës. Fisnikët dhe bandat tyre të armatosura shuan revoltën me forcë, në një përpjekje për t’i detyruar njerëzit t’i bindeshin rendit të vjetër. Por gjurmët e fundit të detyrimeve feudale u zbehën shpejt. Punëtorët mund të kërkonin paga më të mira, dhe pronarët e tokave dhe punëdhënësit filluan t’i thyejnë rregullat duke garuar për krah pune, që nuk ishte shumë në numër.

Në disa vende tjera, megjithatë, represioni jepte rezultate. Në Evropën Lindore mesjetare, nga Prusia dhe Polonia deri në Rusi, fisnikët u bashkuan për të imponuar një formë skllavërie ndaj fshatarëve të tyre për të siguruar një forcë punëtore të varfëruar. Kjo ndryshoi rezultatet afatgjata ekonomike për të gjithë rajonin: Fuqi punëtore e lirë dhe qytetet e zhvilluara lëvizën modernizimin në Evropën perëndimore, por në periferinë lindore, zhvillimi ngeli pas.

Shumë larg në jug, Mamlukët e Egjiptit, një regjim i përbërë nga pushtues të huaj me origjinë turke, mbanin një front të bashkuar për të mbajtur kontrollin e tyre të ngushtë mbi tokën dhe për të vazhduar shfrytëzimin e fshatarëve. Mamlukët e detyruan popullsinë në fjalë, që gjithnjë zvogëlohej në numra, të paguante të njëjtat qira, në para ose mall, si përpara murtajës. Kjo strategji e dërgoi ekonominë në një spirale pa kthim, pasiqë fermerët u revoltuan ose braktisën fushat ku punonin.

Por në të shumtën e rasteve, represioni dështoi. Pandemia e parë e njohur e murtajës në Europë dhe Lindjen e Mesme, e cila filloi në vitin 541, jep shembullin më të hershëm. Duke i paraprirë ligjit anglez për punëtorët, Ordinance of Laborers, për gatise 800 vite, perandori bizantin Justinian, sulmoi punëtorët e pakët që “kërkojnë paga dhe rroga të dyfishta ose të trefishta, në shkelje të zakoneve antike” dhe i ndaloi ata “të dorëzohen para lakmisë së tyre të neveritshme” – duke i detyruar të kërkojnë paga në përputhje me tregun. Por dyfishimi ose trefishimi i të ardhurave reale të raportuara në dokumentet prej papirusi nga krahina bizantine e Egjiptit tregon pa dyshim se dekreti i tij ra në vesh të shurdhër.

Në tokat Amerikane, konkuistadorët e Spanjës u përballën me sfida të ngjashme. Në atë që ishte pandemia më e tmerrshme në të gjithë historinë, e cila u përhap sapo Christopher Colombus arriti në ishujt Karaibe, lia e ujit dhe fruthi gatise shkatërruan shoqëritë indigjene në të gjithë Hemisferën Perëndimore. Përparimi i konkuistadorëve u përshpejtua nga ky shkatërrim, dhe pushtuesit e ri e shpërblyen me shpejtësi veten e tyre me pasuri të mëdha dhe fshatra të tëra. Për një kohë, zbatimi i rreptë i kontrolleve mbi pagat, i vendosura nga autoritetet e Spanjës së Re i ndaloi punëtorët që kishin mbijetuar të korrnin ndonjë përfitim nga mungesa në rritje e krahut të punës. Por kur tregjet e punës u hapën përfundimisht pas vitit 1600, pagat në Meksikën qendrore u trefishuan.

Asnjë nga këto histori nuk pati një fund të lumtur për masat. Kur numrat e popullsisë u u përmirësuan pas murtajës së Justinianit, Vdekjes së Zezë dhe pandemive Amerikane, pagat rrëshqitën poshtë dhe elitat përsëri e morën kontrollin. Amerika Latine koloniale vazhdoi të prodhojë disa nga pabarazitë më ekstreme në histori. Në shumicën e shoqërive evropiane, pabarazitë në të ardhura dhe pasuri u rritën për gatise katër shekuj deri në prag të Luftës së Parë Botërore. Vetëm atëherë, një valë e re e madhe e trazirave katastrofike minuan rendin e vendosur, dhe pabarazia ekonomike ra në nivele të cilat nuk ishin dëshmuar që nga Vdekja e Zezë, nëse jo edhe rënia e Perandorisë Romake.

Në kërkim të një ndriçimi nga e kaluara në pandeminë tonë të tanishme, duhet të jemi të kujdesshëm për analogjitë sipërfaqësore. Edhe në skenarin më të keq, Covid-19 do të vrasë një pjesë shumë më të vogël të popullsisë së botës sesa e bënë cilado nga fatkeqësitë e hershme, dhe do të prekë edhe më lehtë forcën aktive punëtore dhe gjeneratën e ardhshme. Fuqia punëtore nuk do të bëhet e pamjaftueshme në mënyrë që të rriten pagat dhe as vlera e pasurive të patundshme do të bie. Dhe ekonomitë tona nuk mbështeten më në tokat bujqësore dhe punën manuale.

Sidoqoftë, leksioni më i rëndësishëm i historisë akoma mbijeton. Ndikimi i çdo pandemie shkon përtej jetëve të humbura dhe ekonomisë së zvogëluar. Sot, Amerika përballet me një zgjedhje themelore midis mbrojtjes së status quo-së dhe përqafimit të ndryshimit progresiv. Kriza e tanishme mund të shkaktojë reforma redistributive të ngjashme me ato të shkaktuara nga Depresioni i Madh dhe Lufta e Dytë Botërore, përveç nëse interesat e ngulitura nuk tregohen aq të fuqishme sa që nuk do të mund të kapërcehen.

Teksti është parafrazuar nga origjinali i botuar në NY Times nga autori Walter Scheidel