Qytetari i përgjigjet Qeverisë, e shtyp letërnjoftimin në maicë

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës se qytetarët mund të lëvizin me orare, të përcaktuar me numrin e parafundit personal, një qytetar nga Suhareka ka gjetur një mënyrë interesante se si ta mbaj me vete letërnjoftimin, sa herë që del jashtë shtëpisë.

Ministria e Shëndetësi ka njoftuar dje se , nga data 15 prill (e mërkurë), ora 6:00, me qëllim të mbrojtjes së jetës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, hyjnë në fuqi masat rigoroze të lëvizjes me qëllim të pamundësimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid-19.

Ministria përmes një njoftimi ka thënë se çdo qytetar, nga data 15 prill 2020 së paku deri më 3 maj 2020, do të ketë të drejtë të lëvizjes vetëm për 90 minuta gjatë orarit të përcaktuar në bazë të numrit të parafundit personal në letërnjoftim.

E pas këtij vendimi kanë shpërthyer edhe batutat në rrjetet sociale.

Një qytetar nga Suhareka e ka shtypur në maicë letërnjoftimin e tij, në mënyrë që ta ketë me vete sa herë që ai e ka kohën e caktuar për të dalë jashtë shtëpisë.

Letërnjoftimi është i shtypur nga të dy anët, ana e përparme me të dhëna bazike dhe fotografie, dhe ana tjetër që tregon numrin personal, ku edhe numri i parafundit i tij është ai që përcakton lëvizjen e qytetarëve, Gazeta Metro.

Fotografitë e tij janë shpërndarë në fanpagen ‘Lajme nga Suhareka’.