Shëtiste me revole gjatë orës policore, arrestohet 77-vjeçari nga Tetova

Gjatë orës policore, një 77-vjeçar është arrestuar, e më pas tek ai është gjetur revole me karikator, kumtoi sot SPB Tetovë. Ai është hasur duke lëvizur në rrugën “176” në Tetovë rreth orës 13:40.

“R.A. (77) është mbajtur në Stacionin policor Tetovë për dokumentim të rastit dhe do t’i përgatitet parashtresë adekuate. Gjatë kontrollimit të tij është gjetur revole me karikator me 7 plumba, të kalibrit 7,65 ml, të cilën e ka poseduar pa leje”, kumtoi Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Tetovari është një nga gjithsej 13 personat të cilët do të përballen me dënime për shkak se gjatë fundjavës nuk e kanë respektuar ndalesën për lëvizje prej të premtes në orën 16:00 deri të hënën në orën 5:00. Nga 21 marsi, kur është vendosur ora policore, gjithsej 111 persona janë evidentuar për mosrespektim të lëvizjes së kufizuar. Të gjithë janë privuar nga liria dhe do të marrin parashtresa adekuate sipas nenit 206 të Kodit penal për mosveprim sipas rregullave gjatë epidemisë.

Policia e Tetovës vëren se numri i të evidentuarve një person i cili është obliguar për vetëizolim, si dhe 2 persona të rinj me vendim të dhënë nga Inspektorati shëndetësor shtetëror.