Shkëndija “shënon” edhe kur nuk luan, Klubi kuqezi me donacion për spitalin e Tetovës

KF Shkëndija në shenjë solidarizimi ka ndihmuar Spitalin e Tetovës përmes një donacioni duke dhuruar skafandra, doreza, dezinfektues, termometra infrared, saintaizerë dhe materiale tjera të nevojshme për situatën e krijuar nga Covid-19.

“Shkëndija është e popullit dhe mbështetja e madhe e publikut gjithmonë ka qenë forcë shtesë për skuadrën. Tani në këto momente të krizës globale me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19, ne ndjejmë përgjegjësi për të qenë me dhe për popullin në mënyra të ndryshme. Përveç mbështetjes individuale që si futbollistë kemi ofruar ku kemi ndjerë se është nevoja, kemi parë të arsyeshme që të zgjasim dorën e ndihmës edhe për mantelet e bardha, gjegjësisht stafin mjekësorë që nuk kursen asgjë për tu dalë në ndihmë gjithë të prekurve nga virusi korona. Futbolli është sport ekipor dhe ne kemi bindjen se duke qëndruar pranë njëri tjetrit do ta fitojmë edhe këtë sfidë, për të dalë sa më shpejtë nga kjo situatë“, është shprehur futbollisti i këtij klubi Mevlan Murati, i cili bashkë me Ennur Totren dhe Omar Imerin ishin personalisht në dorëzimin e këtij donacioni në Repartin e Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit Klinik të Tetovës.