Studimi i ri: Sa gjatë qëndron koronavirusi në qese

Në këtë periudhë kur të gjithë janë të frikësuar nga pandemia e Covid-19 që po merr mijëra jetë, një studim i ri tregon se virusi mund të qëndrojë në plastikë deri në tre ditë. Pavarësisht kësaj, Timothy Newsome, profesor i shkencave në Universitetin e Sidnejit thekson se rreziku për përhapjen e koronavirusit nëpërmjet qeseve është relativisht i ulët.
I kontaktuar nga media britanike Independent, Timothy i qetësoi të gjithë duke thënë: “Çdo gjë që del nga shtëpia dhe pastaj kthehet në shtëpi paraqet rrezik të ulët nga infektimi me virus. Më së shumti virusi bartet nga personi te personi, kështu që jemi shumë më tepër të brengosur për njerëzit sesa për plastikën”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë më të goditurit nga sëmundja, është ndaluar përdorimi i shpeshtë i qeseve për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së Covid-19. Të gjithë ata që shqetësohen se virusi mbetet nëpër çanta, mjafton pastrimi i tyre dhe larja e shpeshtë e duarve.

Mjeku Donald Schaffner, mikrobiolog dhe ekspert i ushqimit të sigurt në Universitetin Rutgers dha disa këshilla për larjen e çantave duke thënë: “Shamitë antibakteriale dhe mjetet dezinfektive mund të përdoren për pastrimin e çantave për shumë përdorime, ndërsa çantat me material të fortë mund të lahen edhe me ujë të nxehtë dhe sapun. Shumica e qeseve nga pambuku dhe tekstili mund të lahen në pastrim kimik ose lavatriçe”.