Tetë punonjës të Qendrës për Shëndet Publik në Gostivar, në izolim

Tetë të punësuarit në shërbimin epidemiologjik të Gostivarit do të qëndrojnë në izolim 14 ditor. Një ditë pasi një punonjës rezultoi pozitiv me Covid 19 në këtë institucion, sot mostra u janë marrë edhe punonjësve të tjerë. Nuk dihet ende kur do të hapet Qendra për Shëndet Publik, por drejtori i Spitalit të Gostivarit thotë testimet do të vijojnë në hapësira të veçanta në Spital. Spitali i Gostivarit, po ashtu kujdeset edhe për shëndetin e afro 240 personave të ardhur nga jashtë që janë izoluar nëpër hotelet e Mavrovës, ku po ashtu, ditë më parë janë lajmëruar dy persona me temperaturë të rritur.

“Shpresoj se së shpejti ai institucion do vihet në shërbim, edhe pse një pjesë e spitalit që është afër atij institucioni i është dhënë në shërbim dhe punonjës të tjerë të institucionit vazhdojnë me marrje të testeve në afërsi të institucionit epidemiologjik këtu në Gostivar. Tash kemi dy raste që janë lajmëruar dhe të dy pacientët kanë qenë me temperaturë 37.4 gjegjësisht 37.3 që të dy janë hospitalizuar këtu dhe iu është marrë testi, konkretisht ai që u soll mbrëmë sot në orën dhjetë i është bë testi dhe do verifikohet, mirëpo kryesisht ata janë persona të ardhur nga jashtë dhe nuk janë të komunës së Gostivarit – deklaroi Jakup Jakupi, drejtor i Spitalit të Gostivarit.