U miratuan kreditë e para pa normë interesi në mbështetje të 136 kompanive të vogla dhe të mesme

Qeveria në mbledhjen e sotme të 38-të e detyroi Bankën zhvillimore të realizojë marrëveshje për kredi me kredikërkuesit të cilët i përmbushin kushtet dhe kriteret për kredi pa normë interesi. Sipas informatës së Bankës zhvillimore, nga kërkesat e përpunuara, kushtet i kanë plotësuar 136 kompani me 1.737 të punësuar, dhe atyre u miratohen kredi pa normë interesi në shumë të përgjithshme prej 1.263.079 eurove.

Më së voni deri në fund të javës, thuhet në kumtesë, Banka zhvillimore o të kontaktojë me të gjitha kompanitë, kreditë e të cilave janë miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë për shkak të realizimit të marrëveshjeve për kredi.

Paraprakisht në mbledhje, ministrat e shqyrtuan dhe miratuan informatën për kërkesat të cilat i përmbushin kriteret nga Konkursi publik nr. 1 për kredi nga Linja kreditore nga Fondi i posaçëm kreditor (FPK) me qëllim të uljes së pasojave nga koronavirusi.

Qeveria sot lejoi regjim të posaçëm të lëvizjes së personave me pengesa gjatë orës policore, Për ta nuk do të vlejë ndalesa për lëvizje në periudhën prej 19:00 deri në orën 20:00, nga e hëna deri të premten, ndërsa në ditët e fundjavës prej 11:00 deri në orën 13:00.

Në mbledhjen qeveritare u miratua edhe Dekreti me të cilin, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në shtet obligohet angazhim i tërë kapacitetit të njësive organizative në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë edhe policët – fillestarë. Me këtë Dekret bëhet saktësimi i periudhës kur polici-fillestar do ta japë provimin e posaçëm dhe konstatohet se provimi do të zbatohet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërkaq me qëllim të mundësimit të funksionimit të rregullt të shtetit dhe mbrojtjes së shëndetit publik, e njëherit për parandalim të përhapjes së virusit korona (KOVID-19).