U regjistrua punonjësi i parë mediatik i sëmurë nga Kovid-19, profesioni i gazetarisë në mesin e më të rrezikuarve

Kryeredaktori i televizionit Kanal 5, Goce Mihajllovski, është sëmurë nga virusi korona. Edhe katër kolegë të tij, për shkak të kontaktit, janë vendosur në vetizolim. Televizioni, edhe krahas sfidës me të cilën po përballet, vazhdon të informojë.

Në betejën me virusin korona, si edhe personeli mjekësor dhe forcat e mbrojtjes, punonjësit mediatik janë në radhët e para. Ata janë vazhdimisht në teren me qëllim që ta informojnë opinionin për ngjarjet më të reja në vend dhe në botë.

Lajmi për gazetarin e infektuar i shqetësoi të gjithë punonjësit mediatik për shkak të kontakteve të tyre të ndërsjella. Një pjesë e tyre në rrjetet sociale i dëshiruan shërim të shpejtë Mihajllovskit dhe e theksuan rrezikun e profesionit të gazetarisë, si në këtë situatë, ashtu edhe në situatat e përditshme.

Shoqata e gazetarëve, gjithashtu i dëshiroi shërim të shpejtë gazetarit, duke bërë thirrje që të mos stigmatizohen gazetarët dhe punonjësit mediatik të cilët janë infektuar ose për të cilët ekzistojnë dyshime se janë bartës të virusit korona.

“Të nxitur nga disa postime të papërgjegjshme të publikuara para së gjithash në rrjetet sociale, SHGM apelon të mos stigmatizohen gazetarët dhe punonjësit mediatik që janë të infektuar ose që dyshohet se janë bartës të virusit korona. Ju kujtojmë se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë janë vepra të ndëshkueshme pavarësisht nëse ato janë të shkruara në mediat tradicionale apo në rrjetet sociale”, theksoi SHGM.

Shoqata potencoi që shumë gazetarë dhe punonjës mediatik, për shkak të natyrës së punës së tyre, janë më të ekspozuar ndaj kontaktit njerëzor dhe kjo mundëson që ata më lehtë të infektohen me virusin korona.

“Prandaj, është e rëndësishme për sigurinë e tyre personale, sigurinë e njerëzve me të cilët janë në kontakt, që gazetarët dhe punonjësit mediatik të pajisen me pajisje pune dhe mjete nga pronarët dhe menaxherët e mediave përmes të cilave rreziku i infeksionit do të zvogëlohet.Në kohë kur gazetaria cilësore mund të shpëtojë jeta, është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi informata të sakta dhe në kohë. Në mënyrë që kjo të jetë e mundur, punonjësit mediatik duhet të mbrohen maksimalisht në redaksitë e tyre, por edhe kur raportojnë nga terreni. Ju kujtojmë për publikimin “Udhëzime për raportim të sigurt dhe profesional mbi koronavirusin (COVID-19)” i përgatitur nga SHGM dhe KEMM, ku janë përshkruar standardet për raportim të sigurt dhe profesional në kushte të pandemisë”, potencoi SHGM.

Njëherit, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Sanitar, Irinka Sotirova dje informoi se në familjen e Mihajllovskit ka një anëtar te i cili është konfirmuar virusi korona.

“Në familjen e ngushtë të personit të përmendur është një anëtar që është pozitiv. Gazetari kishte kontakte me atë anëtar të familjes së tij, por për informacione të hollësishme kush, ku dhe kur do të vendoset në izolim të mundshëm do të pasojnë pas studimit të kryer nga Qendra për Shëndet Publik, e cila aktualisht është duke u zhvilluar”, tha Sotirova.

Nga televizioni Kanal 5 bënë të ditur se gjatë fundjavës më 28 dhe 29 mars të këtij viti, Mihajllovski ishte për vizitë te prindërit e tij në Prilep, prej ku të hënën, më 30 mars, vazhdon me punë në redaksinë ditore-informative, pa kurrfarë dyshimesh elementare e as simptome.

“Simptomat e para te kolegu Mihajllovski ishin shfaqur në ditën e diel, më 5 prill, të cilat ishin në formë të plogështisë, lodhjes dhe kokëdhembjes, pas çka menjëherë rreth orës 17:00 e ka lëshuar vendin e punës. Prej të hënës, 6 prill, me kërkesë të kompanisë, kolegu është në vetizolim ndërsa në ndërkohë ai vëren temperaturë më të lartë se 38 gradë, dhe kërkon nga mjeku i tij amë të marrë udhëzim për testim, por për shkak të anketës elektronike, nuk ka pasur simptoma të mjaftueshme që të dërgohet për testim. Më 7 prill, në orët e mëngjesit, për shkak të temperaturës së rritur bën test përmes gjakut në një spital privat, i cili tregon se është negativ në virusin korona. Të enjten, më 9 prill 2020 kolegu Mihajllovski shkon në Spitalin Ushtarak, ku u pranua, ndërsa në mëngjes na informoi se megjithatë është pozitiv në Kovid-19”, sqaruan dje nga televizioni Kanal 5.

I dëshiruan Mihajllovskit që të shërohet sa më shpejtë që është e mundur.

“As ai nuk ka dashur të infektohet me Kovid-19, e aq më pak që ai të jetë transmetuesi dhe eventualisht të infektojë persona të tretë”, theksuan nga Kanal 5.

Theksuan se një kohë të gjatë në hapësirat e televizionit janë vendosur standarde të larta për mbrojtje dhe kontrollë të të punësuarve.

Sa i përket asaj se a janë testuar punonjësit e “Kanal 5” dhe cili është rekomandimi i epidemiologëve për këtë televizion në lidhje me funksionimin e tij, si dhe për punën e gazetarëve të tjerë, duke i marrë parasysh takimet e vazhdueshme të kolegëve, Ministri theksoi se epidemiologët kanë realizuar komunikim me përgjegjësit e televizionit dhe se janë realizuar intervista me të gjithë punonjësit që kanë pasur kontakte dhe konsiderohen me rrezik të lartë.

“Unë besoj se edhe kolegët nga mediat e tjera, si dhe të gjitha kontaktet e tjera private të atyre që konsiderohen se janë në rrezik, tashmë janë intervistuar, ose do të intervistohen gjatë ditës së nesërme. Sipas kësaj do të ndërmerren edhe masat e caktuara, nëse është e nevojshme”, theksoi Filipçe, duke porositur se për firmën vlejnë të njëjtat qasje dhe protokolle si për të gjithë të tjerët.