Agjenda e gjelbër – Grubi, Shaqiri dhe Merko rrënojnë platformat mbi liqe në Strugë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi bashkë me ministrin e Shoqërisë informatike dhe administratës, z. Jeton Shaqiri dhe kryetarin e komunës së Strugës Ramiz Merko sot filluan rrënimin e të gjitha 6 platformave ekzistuese të vendosura buzë bregut të liqenit në Strugë.

Grubi me këtë rast ka thënë se gëzon fakti që aksioni për largimin e këtyre platformave po bëhet përmes dialogut konstruktiv midis autoriteteve komunale dhe komunitetit të biznesit.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë këtij aksioni ka thënë se agjenda e gjelbër tashmë është vënë në aksion dhe nuk do të ndalet me kaq. Përmes kësaj agjende fitojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ku jetojnë ata pasi që e njëjta kontribuon për një jetë më të mirë dhe më cilësore.

Grubi gjithashtu ka thënë se këtë iniciativë të qytetit të Strugës dhe kryetarit Ramiz Merko përveç struganëve e mirëpresin edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Strugës, z. Ramiz Merko me këtë rast ka thënë se kjo është vetëm fillimi dhe që agjenda e gjelbër nuk do të ndalet.

Merko ka informuar se zhvillimi i qytetit të Strugës dhe zhvillimi i turizmit është dhe do të mbetet prioritet i administratës së tij por edhe i vetë qytetarëve të Strugës.

Merko ka informuar zëvendëskryeministrin e parë Grubi dhe ministrin e Shoqërisë informatike dhe administratës Shaqiri se 6 platfomat që sot po rrënohen nuk janë ndërtime të egra por që pronarët strugan dëshirojnë të solidarizohen me pronarët e koncesioneve të qytetit të Ohrit pasi që nuk duan që Struga të ngelet “dele e zezë” dhe me këtë të rritë mundësitë që Ohri të humb statusin qytet i mbrojtur nga UNESKO.

Kryetari i Strugës, z. Ramiz Merko gjithashtu ka informuar Grubin dhe Shaqirin se ai dhe ekipi i tij vazhdimisht punojnë për mbrojtjen e biodiversitetit të liqenit të Ohrit duke dhënë si shembull rritjen e sasisë së kallamit nga 10 në 200 hektar gjatë 4 viteve të fundit.