Ahmeti e vizitoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtëror dhe Kulturore të Shqiptarëve

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot e vizitoi Institutin për Trashëgimi Shpirtëror dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), ku realizoi takim me drejtorin e Institutit, Skender Asani.

Ahmeti, tha se ky moment është shumë i rëndësishëm, sepse në vazhdimësi nga takimet në mënyrë permanente drejtori i ITSHKSH-së e ka ngritur çështjen e hapësirave, kushteve për punë, me ç’rast kishte pasiguri rreth funksionimit të vazhdueshëm të Institutit.

“Kështu që kjo çështje u shqyrtua me seriozitetin më të madh. E kam biseduar me autoritetet e ekzekutivit, që domosdo të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme sa i takon Institutit që të kryen studimet ashtu siç duhet, konform standardeve por edhe kushteve që duhet t’I ketë një institut”, tha Ahmeti dhe e falënderoj kryeministrin Zoran Zaev për mirëkuptimin dhe për këtë pronësi që i jepet Institutit .

Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së e falënderoj Ahmetin për vizitën, për përurimin e objektit i cili tash është në pronësinë e tyre, sepse deri më tani Instituti nuk e ka pasur shtëpinë e vet dhe nga ky moment bëhemi me shtëpi dhe veprimtaria jonë e ngjeshur që e kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve do të jetë më intensive.

“Kjo godinë, përveç që do të jetë një objekt shkencor-hulumtues, e ka edhe edhe atë bekgraundin e historie, sepse gjatë viteve të 90-ta por edhe pas viteve të 90-ta ky institucion këtu që ka qenë ish-Ambasada e Amerikës, që shqiptarëve e kanë aleatin e tyre natyror po bëhet pronë e jona. Dhe është edhe një porosi tepër e rëndësishme se Maqedonia e Veriut po shkon drejt rrugës së mbarë të integrimeve euro-atlantike sepse kjo godinë gjendet në pjesën tjetër që deri më tani ka qenë ekskluzive maqedonase. Dhe tani ne si institucion jemi këtu dhe dhe besoj që do ta arsyetojmë gjithë atë përkrahje që na i ka dhënë vetë kryetari i BDI-së që ne të kemi godinën tone, por edhe përkrahje për projekte të tjera që neve do të na sfidojnë”, ka theksuar Asani.

Vendimin për pronësinë e objektit drejtorit të ITSHKSH-së Skender Asani, ia dorëzoi ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi.

Ademi në një postim të tij ka shkruar: “Me kënaqësi të madhe, në prezencën e kryetarit Ali Ahmeti, nënkryetarit Mexhiti dhe Sekretarit organizativ të BDI-së, Artan Grubi, drejtorit të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore Shqiptare, Skender Asani, iu dorëzua vendimi për shfrytëzim të përhershëm të objektit në të cilin vepron ky institucion. Bëhet fjalë për objektin e njohur si ish-Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bulevardin ‘Ilinden’, në Komunën e Karposhit, ku ITSHKSH-ja është e vendosur që në vitin 2010”.