Ahmeti: Nuk vlerësoj se do të anulohet 12 prilli, si datë për zgjedhjet parlamentare

Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) theksoi se nuk do të ketë anulim të datës për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që është caktuar për 12 prill, transmeton Portalb.mk.

“Nuk vlerësoj se do të ketë anulim të datës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme më 12 prill. Kjo datë është sjellë në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë politike. Të gjithë tashmë i kemi filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve më 12 prill”, deklaroi Ahmeti.

Ai është shprehur kundër ndryshimeve në Kodin zgjedhor, me arsyetimin se nuk mjafton koha për të gjetur zgjidhje konsensuale, duke e marrë parasysh se ka dallime të mëdha në qëndrimet e partive politike.

“Koha nuk na lejon të hyjmë në ndryshime të tilla të Kodit zgjedhor, pasi kemi shumë dallime të mëdha si parti politike gjë që do ta komplikojë situatën, ndërsa kjo nuk do të ishte në dobi as të partive e as të shtetit”, thotë lideri i BDI-së.