Ali Ahmeti, lider i historisë së re të shqiptarëve në Maqedoni

Liderët e krijojnë historinë. Pse? Sepse, historia, para tyre ishte ndryshe, me daljen e tyre në skenë, gjithçka është ndryshe. Po, ndryshe.
Ata që e krijojnë historinë, nuk i pengon pushteti për t’u bërë atë që ua ngarkon historia. Sepse, kanë intuitën, veprimin dhe elegancën e paraqitjes të cilën shekujt ua japin dhuratë të rrallëve, ashtu si Ali Ahmetit.

Fillimet e rezistencës që e bëjnë historinë e Ali Ahmetit, lidhen me pseudonimin Abaz Gjuka, vepra dhe angazhime që shënjojnë kohën tonë, i di gati secili nga ne në Maqedoni. Secili e di se ky emër, shënjoi shekullin e shqiptarëve në Maqedoni, shekullin 21.

Kur dikush tenton të pengojë historinë, e pëson. As i pari, as i fundit nuk është Nikolla Gruevski. Ai u mundua të pengoj barazinë, u mundua të pengoj votën e qytetarëve për ndryshim. Ai u bë kancer i shtetit, dhe vendi i tij, do të hidhet në shportën e mbeturinave.
Ali Ahmeti, e kishte paralajmëruar Gruevskin më herët për rrugën pa krye të tij, për harakirin politik. Sepse, Ali Ahmeti, fliste me historinë, sepse, kishte dëshmi të mjaftueshme se e kishte mundur në fushën ushtarake, në fushën politike dhe strategjike. Jo vetëm për çështjen shqiptare në Maqedoni por edhe lëvizjet e politikës globale në rajon dhe përcaktimet e aleancave globale.

Ali Ahmeti e kishte argumentin e vlerave të përbotshme për të cilat ishte zotuar që në rininë e hershme, në përballjen me komunizmin jugosllav, me vlerat e mbrujtura në familjen e tij, të valës së rezistencës me demonstrata deri te lufta çlirimtare. Ai angazhohej shumë si për të drejtat e njeriut, barazinë, lirinë e përdorimit të gjuhës dhe vlerave nacionale por edhe mundësitë e barabarta, çështje të përcaktimit të identitetit nacional e kulturor, e deri te rregullimi administrativ dhe e territorit, përcaktimi i limiteve të pushtetit ndaj qytetarëve kur preket e drejta elementare si shkollimi, punësimi, barazia para ligjit.

Kot që vajtoi Gruevski nga Hungaria e sigurisht tash edhe nga Rusia, i cili pi çaj me gruan e Millosheviqit në Rusi se është i kërcënuar.

Sa ishin politikanët shqiptarë të kërcënuar e nuk ikën. E ndryshuan vendin, duke u bërë shembull të sakrificës, me veprim politik e ushtarak, pa u zmbrapsur. Këtë nuk ka fuqi as energji Gruevski, të përballet me mjete politike për ndryshimin e gjendjes.

“Në ditët e fundit kam marrë kërcënime të panumërta të jetës sime”, ka theksuar ish lideri që pretendonte të hynte në histori, duke shpërndarë ligësi në Maqedoni, hakmarrje dhe zmbrapsje nga legaliteti i votës dhe vendimit të qytetarëve në kuti të votimit, me vendim demokratik.

Ali Ahmeti i mbeti besnik vendit dhe popullit të vet, në çdo situatë, edhe atëherë kur kërcënohej nga keqpërdoruesi i pushtetarit, Gruevski, edhe kur fitonte vota, edhe kur i vidheshin votat.
Po, ku është Ali Ahmeti, nuk i mbeti vend Gruevskit, që gabimisht ka shkruar në porosinë e tij se “nuk do të heq dorë kurrë”, sa groteske aq tragjikomike, si çdo porosi e diktatorit.

Ali Ahmeti, ua ka bërë të ditur me jetë dhe me vepër se nuk ka shmangie nga vendimi i sovranit. Ashtu ishte edhe në kohën e terrorit komunist, por edhe gjatë luftës, por edhe në epokën e demokracisë.

Ali Ahmeti, si lider, në ballë të popullit shqiptar, edhe përtej Maqedonisë, kreu mision atdhetar, se historinë e kishte me vete. Ndërsa në politikë, u bë besnik i NATO-s, besnik i Bashkimit Evropian, duke krijuar forcën më unike që lidh dhe promovon forcën e shqiptarëve për barazi në Maqedoni, me BDI-në. Me të drejt kemi thënë, pa Ali, s’ka BDI.

Jo vetëm BDI, nuk mundet pa Aliun, por edhe shumë më shumë, e di këtë edhe Zaevi!

Redaksia InfoAlb