Ali Ahmeti: U kry!

Dit a e sotme, për këtë pjesë të Ballkanit, në veçanti për Maqedoninë shënohet si ditë historike. Sot, Kuvendi i Maqedonisë, ka votuar ndryshimet kushtetuese, me 81 deputetë, me këtë emri i ri i Maqedonisë do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Këtë ngjarje historike, lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, e përshëndeti me një fjalë, “U kry”.

Kjo fjalë, është pjesë e mesazhit që barti Kosova kur e shpalli pavarësinë, duke ia dedikuar Komandantit legjendar, Adem Jasharit, me porosinë: Bac, u kry!

Ky vendim njëherë e mirë hap rrugën e integrimeve për Maqedoninë dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, intenca këto thelbësore të faktorit politik shqiptar, në veçanti e liderit karizmatik të shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti.

Me të drejtë, me “u kry”, nënkuptojnë gjithë sakrificën e shqiptarëve për t’i kontribuar unitetit shtetëror, për rrugën euro-atlantike, të këtij blloku e vlerave të cilave në plotni ju takon kombi shqiptar, me dy shtetet e veta, me Shqipërinë dhe Kosovën.

Paqja, stabiliteti dhe fqinjësia e mirë në këtë pjesë të rajonit, bëhen metodë e mirëpritur edhe nga aleatët e kombit shqiptar, në Bruksel dhe ShBA dhe gjithandej globit, sepse, ky proces, sjell vlera të reja, demokratike, perëndimore edhe në jetën e shqiptarëve në Maqedoni.

Vota e shqiptarëve, ishte çelësi i fitores dhe kësaj rruge të mundimshme, që nga pavarësia e Maqedonisë.
Emri Republika e Maqedonisë Veriore, pa faktorin shqiptar, nuk do të arrihej, ashtu siç para sa viteve, pa faktorin shqiptar, nuk mund të arrihej pavarësia e Malit të Zi.
Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, me fjalën “u kry”, ka vënë vulën për paqen e përhershme në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës, duke u bërë faktor me peshë të madhe politike por edhe strategjike.

Shqiptarët në Maqedoni, nga sot, i bashkohen edhe juridikisht, vlerave euro-atlantike, duke pasur vizion të qartë për agjendën integruese, situatë kur tërë fuqia politike e shqiptarëve në Maqedoni, u vu në shërbim të një kauze që lehtëson vlerat integruese euro-atlantike por edhe përbashkuese mes shqiptarëve të gjendur në bllokun e sigurt perëndimor, dhe mbështetje të ShBA-së.

Lideri Ali Ahmeti, me fjalën “u kry”, na ktheu kujtesën në ditët më të vështira të ekzistencës tonë, pritjes për nivel tjetër të faktorit shqiptar në Ballkan, me pavarësinë e Kosovës, ku shqiptarët e Maqedonisë, në luftën çlirimtare të Kosovës, kontribuuan ashtu sikur për atdheun e vet.

Liderit shqiptar në Maqedoni, Ali Ahmetit, i themi me gjithë zemër, Ju lumtë Kryetar, me sukses e kreve edhe këtë detyrë që të ngarkoi historia e re e shqiptarëve dhe Maqedonisë!

Redaksia

InfoAlb