Ariana Ajredini: Historinë e një populli e njohim nëpërmjet këngëve

Vajza nga Prespa që është aktive në muzikën shqiptare tash e disa vite vjen në një rrëfim për Infrared të gazetës Koha duke treguar fillimet e karierës, si po shkon muzika tash, kush e ka ndihmuar e shumë gjëra të reja përfshirë këtu edhe projektin e fundit të cilin e ka punuar.

Njihesh si një këngëtare e muzikës live, si e sheh tregun muzikorë shqiptarë?

Tregu muzikor shqiptarë mund të definohet në shumë aspekte, varësisht se si ajo mund të interpretohet dhe pasqyrohet ndaj popullit ose audiencës. Duke u nisur nga një thënie të autorit rus, “Në qoftë se nuk e dinë historinë e një populli, më mirë do ta njohësh në qoftë se e din këngën e tij”. Një domëthenie shumë e qartë e cila përmbledh të kaluarën, kuptohet historike në të cilën është mbledhur gjithë thesari i këngës,valles në kuptim më të gjërë, tradita e pastër popullore, të kohës të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Unë si këngëtare, nga përvoja e së kaluarës dhe e tashmja, tregun muzikor shqiptar e kasha vlerësuar si avantazh në kuptim të një krijimtarie që simbolizon një të ardhme të mire për gjeneratat e reja dhe e dyta një disavantazh në kuptim të abuzimitit të prishjes, ngatresave të vlerave artistike në përgjithësi, pikërisht vetëm për interesa personale por jo edhe për popullin.

E ke pasur të vështirë depërtimin?

Depërtimin, mund të them se nuk e kam pasur të vështirë.

Nga kush ke pasur ndihmën më të madhe në karierë?

Ndihmën më të madhe në karrierë e kam pasur kryesisht nga prindi si arsimtar muzike, që nga viti 1986 i orientuar drejt artit dhe muzikës si punëtor në shumë shkolla, Shkup, Manastir dhe Prespë. Ndihmesa tjera të cilat më janë ofruar, janë me kalimin e kohës të cilat kanë qenë format e bashkupinimit ndërmjet artisteve dhe artistëve shqiptarë nga trojet e ndryshme, mediumet, televizionet, rrjetet sociale etj.

Sa vite u bënë që këndoni?

Pikënisja e pare në skenë ka qenë 2002 në festivalin e pare për femijë “Bilbili i Prespës” që u realizua në Prespë dhe vite më rradhë ishte një aktivitet i pashterur si pjesmarrëse jo vetem në Prespë por dhe me gjerë, në rajone të ndryshme, si në Kërçovë, Manastir, Strugë, Shkup, Shqipëri.

Kryesisht kariera juaj është e fokusuar në….?

Talenti im në drejtim të muzikës ka filluar qysh në moshën më të re,12 vjeçare dhe deri ditët e sotme, në përgjithësi e shprehur në vite 11.. E fokusuar, kryesisht në tabanin popullorë dhe pjesërisht në zhanret e tjera të muzikës shqiptare.

Kush është Ariana, një përshkrim më detaj për ata që nuk kanë pasur mundësi të ju njohin?

Për ata që nuk kanë pasur mundësi të më njohin nga afër, me disa fjalë, Ariana është vajzë e cila pëlqen modestinë, një shoqëri të vogël në numër, por e pasur në vlera shpirtërore, e sheh botën gjithmonë me optimizëm dhe kërkon drejtësinë në çdo hap që ajo ndërrmer qoftë ne anën personale por dhe atë profesionale. Shpreson për një të ardhme sa më kualitative për çdokënd i cili investon për të mirën e tij dhe shoqërinë.

Ke publikuar projektin e ri, na fol pak më shumë rreth bashkëpunëtorëve?

Sa i përket projektit tim të ri, në fakt lindi një ide e përbashkët së pari ndërmjet dy personave, unë vetë dhe bashkëpunëtorit të muzikës, prindi im dhe u munduam që të sjellim një vendim real duke marrë parasysh situatën në përgjithësi dhe gjendja momentale. Do të thotë gjithë ngjarja në përpunimin dhe interpretimin e këtij projekti të shprehë mallëngjimin dhe largimin e shumë njerëzve për në gurbet dhe malli për vendlindje, kurse e dyta është finalizimi i pjesës muzikore duke hedhur vallen në Prespë, që pasqyron kthimin e vendasve në trojet e tyre, konkretisht në Prespën tonë të bukur.  Si bashkëpuntorë në realizimin e projektit, përveç përpilimit të pjesës melodike, z.Bexhet Ajredini, kemi dhe instrumentalistë nga vendi dhe nga jashtë kufive, Pogradec dhe Prenjas. Interpretues në klarinet si dhe vokalist përcjellës në duet, si dhe teksti më i ri që ja kushton Prespës nga z. Endri Fifo-Bilisht, Shqipëri. Nuk duhet haruar dhe pjesëmarja e koreografisë në kuadër të bashkëpunimit Prespë-Bilisht me udhëheqës të koreografit z.Agron Kordalli-Bilisht. Inçizimi audio në studio Bale-Strugë, si dhe xhirimi në video nga studio “Ledi Production”-Strugë.

Si e nise këtë vit, do ketë ndonjë surprizë tjetër për publikun?

Këtë vit e fillova  me shpresë se do të jetë një vit më i suksesshëm, produktiv në çdo sferë në veçanti në sferën e artit, muzikës, kulturës, duke u shprehur nëpërmjet vetëdijes njerëzore asaj shpirtërore, respektimi i vlerave të pastra në kuadër të traditës popullore. Nga rezultatet e arritura pozitive, si dhe mendimi pozitiv i opinionit publik kudo që ndodhet anembanë botës, lind dhe një ide, shpresë dhe vullnet për të krijuar diçka të re, që do të jetë e pranueshme dhe me vlera artistike me përmbajtje dhe karakter të ndryshëm.