BDI: Krijim të Fondit për nxitjen e diturisë, mbështetjen e inovacioneve dhe aftësive afariste tek të rinjtë

BDI-ja sot gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, premtoi krijimin e Fondit për nxitjen e diturisë, mbështetjen e inovacionedhe dhe aftësive afariste tek të rinjtë, transmeton Portalb.mk.

“Mes zotimeve të parapara për të rinjtë, Ziberi nënvizoi edhe rëndësinë e hapjes së shkollave profesionale në çdo komunë si dhe krijimin e një Fondi për nxitjen e diturisë, mbështetjen e inovacioneve dhe aftësive afariste tek të rinjtë”, raportojnë nga BDI-ja.

Ata përsëritin premtimin se do të lirohen për tre vjet nga tatimi të punësuarit nën moshën 35 vjeçare.

“Unë jam këtu për ju të rinjtë, dhe pjesa kyçe e programit tim të prezantuar për 100 ditët e para, është pikërisht përforcimi i ekonomisë dhe krijimi i mundësive për ju, dhe këtë e kam planifikuar përmes një sërë masash. Fillimisht do të ulim në zero tatimin personal për tre vjet për çdo të punësuar për herë të parë, nën moshën 35 vjeç”, deklaroi Naser Ziberi, kandidati i BDI-së për kryeministër.

Ai përsëriti premtimin se do të subvencionohen 50% e kontributeve sociale për tre vitet e ardhshme për çdo punësim të ri, që do të përmirësojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike në ndërmarrjet private.

BDI-ja gjithashtu sot përsëriti premtimin për ndryshimin e himnit dhe simboleve shtetëror, ashtu që të ketë elemente edhe të etnive tjera.