BE, donatori më i madh në Maqedoni

Bashkimi Evropian është donatori kryesor, i cili ju ndihmon institucioneve qendrore dhe lokale në vend në realizimin e projekteve kapitale në interes të qytetarëve. Nga zyra e BE-së në Shkup kanë deklaruar se misioni i tyre në mbështetje të vendit nuk ka marrë fund me faktin se vendit nuk i është caktuar datë për fillimin e bisedimeve.

Bashkimi Evropian (BE) është donatori më i madh në Maqedoninë e Veriut, me mbi 90 milionë euro në nivel vjetor, mjete këto të destinuara për mbështetje të reformave në sektor të ndryshëm. Përveç fondeve paraqasëse (IPA), BE ka edhe mundësi tjera për mbështetje të vendit në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë. Lupço Petrovski nga Qendra për strategji evropiane “Euro Think” thotë se anëtarësimi i mundshëm i vendit në BE do të sillte edhe më shumë fonde, por plotëson se paratë nga fondet paraqasëse, janë për mbështetje të reformave.

“Ne i shfrytëzojmë fondet IPA në bazë të asaj se jemi vend-kandidat për anëtarësim në BE. Nëse fillojnë bisedimet, nuk nënkupton se me automatizëm do të ketë më shumë fonde, përsëri do të jemi shfrytëzues të fondeve paraqasëse. Por, janë në pyetje qindra miliona euro në nivel vjetor, të cilat institucionet qendrore dhe lokale në vend, nuk i absorbojnë të gjitha, por vetëm se 1 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV). Ndërkohë, shuma më të mëdha të investimeve do të investohen nëse anëtarësohemi në BE dhe atëherë ato do të jenë pesëfish më shumë në krahasim me mjetet që i kemi tani në dispozicion”, shprehet për KOHA, Petrovski.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Pushteti Lokal, Suhejl Fazliu thotë se fonde të BE-së shfrytëzojnë të gjitha ministritë, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale shfrytëzon fonde vetëm për bashkëpunim ndërkufitar (IPA). “Kjo është komponenta e dytë e IPA Fondeve. Vetëm kjo komponentë shkon nëpërmjet pushtetit lokal. Por ka edhe fonde tjera, të cilat ndahen për Ministrinë e Ekologjisë, Ministrinë e Transportit etj. Komponenta, të cilën e realizon pushteti lokal ka realizueshmëri më të madhe. Fondet evropiane janë më se të nevojshme për komunat për të realizuar projekte më të mëdha të cilat institucionet shtetërore nuk mund ti realizojnë vetëm. Nga fillimi i procesit të decentralizimit, BE më së shumti ka ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe veprimtarive tjera që janë në kompetencë të komunave në krahasim më donatorët tjerë. Ky trend do të vazhdojë dhe, sa më afër dyerve të BE-së, trendi i fondeve evropiane për vendin do të ketë rritje”, deklaroi për KOHA, Fazliu.

Ndërkaq, javë më parë euroambasadori, Samuel Zbogar, deklaroi se delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut mbetet këtu, pa marrë parasysh se ka marrë ose jo vendi datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Ai theksojë se Evropa është këtu dhe do të mbetet, fondet do të rriten, veçanërisht për komunat, në të cilat, siç është shprehur ai, qytetarët duhet të ndjehen se janë faktorë dhe janë evropian, pa dallim se nuk janë hapur bisedimet.

“Si delegacion i BE-së nuk kemi rol të madh në procesin e marrjes së vendimeve të politikave të mëdha në Bruksel, por kemi rol këtu në Maqedoninë e Veriut, që t’u tregojmë qytetarëve se jemi këtu, me mbështetje politike, por edhe financiare (fonde). BE është donatori më i madh në vend dhe siguron thuajse 100 milionë euro në nivel vjetor fonde në vend, ndërsa më shumë fonde pritet të caktohen vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Zhbogar. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut për momentin po realizohen 400 projekte me mjete nga BE-ja, nga të cilët 109 janë të dedikuara për komunat.