Besim Zekthi, Mjeshtri i Madh dhe Nderi i Kombit, krenaria e gjithë shqiptarëve


Ndieva dhëmbje, kur dëgjova lajmin, se ishte ndarë nga kjo jetë Artisti i Popullit, Mjeshtri i Madh e Nderi i Kombit dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve të fushës së artit e kulturës popullore, Besim Zekthi! E kam njohur dhe ndjekur me shumë simpati veprimtarinë e tij artistike si Solist i Parë i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore dhe si koreograf që nga krijimi i atij Institucioni të rëndësishëm kombëtarë e deri sa doli në pension. E kam takuar në AQSH para 5 vjetësh me shumë mall e respekt për jetën e veprimtarinë e madhe e të pashembullt të tij interpretuese e krijuese, që ka realizuar gjatë gjithë jetës, duke shënuar emblemën e parë të Ansamblit Kombëtarë të Këngëve e të Valleve Popullore, duke u rregjistruar në historikun e atij Institucioni si valltari i parë virtuoz, që studjoi e përpunoi, interpretoi dhe krijoi vallet e bukura të burimeve të pastra popullore me frymë kombëtare të të gjitha trevave shqiptare, duke transmetuar ide e mesazhe të mëdha, se ne shqiptarët jemi pasardhës të ilirëve, të popullit më të lashtë në Europë, se populli shqiptarë trashëgon një etnokulturë të pasur, që e ruajmë e do ta ruajmë si një thesar të çmuar, për t’u integruar, në radhë të pare me identitetin e integritetin tone me të gjithë shqiptarët të ndarë deri tani në 6 shtete, si dhe me popujt e Europës me pasuritë e thesaret shpirtërore e materiale të krijuara nga populli shqiptarë ndër shekuj..
Me të ndierin Besim Zekthin lidhet pazgjidhshmërisht e gjithë veprimtaria e Ansamblit dhe ai i përkiste gjithë shqiptarëve këtej e përtej Drinit, sepse punoi me shumë pasion e krijimtari si solist i pare i të gjitha valleve popullore, që interpretoi në skenë Ansambli, duke rezatuar me gjuhën e koreografisë dashurinë për Atdheun e kombin shqiptarë, krenarinë e burrërinë, karakteret e forta e frymën luftarake të heronjve shqiptar, heroizmin e shpirtin e sakrifices deri në flijim të tyre për mbrojtjen e trojeve shqiptare, për të fituar lirinë e pavarësinë e atdheut të dashur, si dhe për të zgjidhur çeshtjen e madhe kombëtare ende të pazgjidhur.
Aktivitetet e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, ku në epiqendër ishte i skalitur si shqiponjë Besim Zekthi, si brenda edhe jashtë shtetit qenë të mirëpritura me shumë entusiazëm nga spektatorët në Europë e Azi, në Afrikë e Indonezi, sepse ushqenin e ngjallnin gëzim e hare, gjallëri e optimizëm kudo tek të pranishmit. Pjesëmarrja e interpretimi plot gjallëri e dinamizëm dhe art i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore nëpër festivale jashtë shtetit, si dhe në turne, bënte të njohur Shqiërinë dhe artin e kulturën popullore shqiptare, si dhe është vlerësuar e ka fituar gjithmonë çmime të mëdha e të merituara, duke përmendur çmimin e Madh të Gjerdanit të Artë në Festivalin Europian të Dizhonit.
Pritjet më të përzemërta e vëllazërore dhe vlerësimet më të sinqerta e entusiazte i ka patur Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore në trevat shqiptare gjatë e pas koncerteve në Kosovë dhe në Maqedoni, kur spektatorër shqiptarë shpërthenin në ovacione dhe e ndiqnin programet në këmbë, duke vallëzuar e kënduar bashkë me artistët e Ansamblit në skenë, sepse ndiheshin se ishin e mbeten një popull e një kombë me një gjuhë dhe traditë etnokulturore të krijuar ndër shekuj. Pas koncerteve të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore rinia e populli i Kosovës organizohej e dilte në manifestime e demostrata me parrullat:”Liri e demokraci dhe barazi me të gjitha kombësitë në ish-RSFJ”, sepse trajtoheshin si popullsi e dorës së dytë e të tretë. Më vonë kanë manifestuar me parrullën “Kosova Republikë” dhe here- herë dhe bashkimin me Shqipërinë. Popullsia shqiptare e Kosovës qe e ndërgjegjësuar se ishin e mbeten komb shqiptarë dhe luftonin të fitonin të njejtat të drejta si kombësitë e tjera, duke mos pranuar kurrësesi që të quheshin komb jugosllav, një shpikje e Beogradit të viteve ’80-të.
I ndieri Besim Zekthi u rrit bashkë me trupën e Ansamblit dhe trupa e Ansamblit u rrit dhe u konsolidua si një trupë heronjsh e shqiponjash bashkë me Besim Zekthin në epiqendë, duke shkruar mjë histori të artë e skalitur një monument të lartë të kulturës e artit tonë popullor dhe duke u shndërruar në një Akademi të vërtetë, ku brezat e rinjë të mësojnë e trashëgojnë traditën e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore kombëtare.
U prehtë në paqe Besim Zekthi dhe qoftë i paharruar jeta e kontributi i tij i pasur shumëvjeçarë!
Tefta Cami-Cani-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturçs
Tiranë, më 5 korrik, 2020