Bfi:”Muhamed Zeqiri dhe politika më largë duart nga Bashkësia Fetare Islame”

Në emër të All-llahut Mëshiruesit Mëshirbërësit

Reagim:
Muhamed Zeqiri dhe politika më largë duart nga Bashkësia Fetare Islame

Ne, Muftinjtë e Muftinive të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë të Veriut, me indinjatë reagojmë ndaj deklaratës së Muhamed Zeqirit, deputet dhe nënkryetar i LSDM, lidhur me akuzat, të pavërtetat dhe nebulozat e drejtuara ndaj imamëve dhe anëtarëve të organeve më të larta të BFI.
E vërteta përherë i bën karshillëk gënjeshtrës së pështirë e të trilluar, andaj, pa pasur dëshirë të hyjmë në ndonjë debat joproduktiv, apelojmë që çdo funksionar i zgjedhur në një funksion publik, me sinqeritet e me vetëdije të realizojë e të zbatojë detyrat dhe premtimet e veta ndaj qytetarëve dhe institucioneve.
Për këtë shkak, dëshirojmë të përkujtojmë deputetin Zeqiri që para se të merret me organizimin e brendshëm të BFI, të rikujtohet se BFI është kategori kushtetuese në këtë shtet, e dëshmuar me punën dhe veprimtarinë e vetë. Andaj, ai si pjesë e strukturave të pushtetit , duhet të fillojë të zgjidhë problemet për të cilat ne me decenie nuk kemi përgjegje nga organet kompetente. Ai, si funksionar, është i obliguar të punojë në drejtim të eliminimit të këtyre problemeve.
Në vend të kësaj, ju z. Zeqiri, po e udhëheqni fushatën kundër Reist dhe BFI duke i involvuar edhe Prokurorinë, Komitetin e Helsinkut dhe mediat. Poashtu, ekzistojnë indikacione serioze se ju po bashkëpunoni me njerëzit të cilët para disa vitesh e sulmuan BFI, bile po takoheni me ata nëpër zyrat qeveritare.
Duke qenë se ju jeni medresant, ne muftinjtë jemi të tronditur nga qëndrimi dhe sjellja e juaj dhe do mendojmë seriozisht mundësinë e zhvlerësimit të diplomës së juaj të Medresesë.Ndërkohë, që të keni një pasqyre më të plotë për problemet me të cilat po ballafaqohen kolegët e juaj të mëhershëm, po ju përkujtojmë se:

– Medreseja Isa Beu, edhe më tej nuk është e akredituar nga Ministria e Arsimit si shkollë e mesme, kurse kolegët e juaj medresantë po ndeshen pas përfundimit të shkollimit të mesëm me dyer të mbyllura të universiteteve tona, gjë e cila është një padrejtësi jo vetëm ndaj Medresesë por edhe ndaj të gjithë pjesëtarëve të Islamit në RMV.
– Me vite po qëndron i pazgjidhur problemi me xhami të shumta në vend, siç janë bie fjala Jeni Xhamia në Manastir, Hysamedin Xhamia në Shtip, Orta Xhamia në Strumicë, Carshi Xhamia në Prilep,Xhamia e Ali Pashës në Ohër, të cilat edhe përkundër dokumenteve gjegjëse me të cilat mund të dëshmohet pronësia, nuk po i kthehen BFI-së.
– Po vazhdon pengesa shumëvjeçare për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llazhec të komunës së Manastirit, fshat ky që ka banorë muslimanë e të krishterë me numër të barabartë dhe në të cilin ekzistojnë dy kisha por asnjë xhami.
– Anipse sivjet “kremtuam” 20 vjetorin e fillimit të procesit të denacionalizimit, kërkesat e BFI edhe më tej po injorohen, veprim ky që BFI-së po i shkakton dëme të mëdha.
– Kryqat mbi sahat kullat në Prilep dhe Manastir po vazhdojnë të flasin për një politikë diskriminuese të institucioneve shtetërore ndaj nesh. Eshtë koha që ju të mendoni e të ndihmoni që ata kryqa të heqen nga objektet profane islame.
– Institucione të ndryshme shtetërore po vazhdojnë të krijojnë probleme të përditshme artificiale të cilat ne po konsiderojmë si provokime.
– Të gjitha bashkësive fetare, shteti ju ka siguruar troje për rezidencë kurse BFI akoma po pret.
Këto janë vetëm një pjesë e problemeve të përditshme me të cilat po ndeshemi me vite e me decenie, dhe në vend të kritikave joproduktive e jokonstruktive në mediat publike, ju takon të ndërmerni aktivitete për përmirsimin e kohezionit ndërfetar e ndëretnik, si edhe për zhvillimin dhe avancimin e vlerave demokratike e qytetare në RMV.
Problemet e theksuara janë edhe pjesë e premtimeve të kësaj Qeverie reformatore në të cilën edhe ju keni rol të caktuar.
Për fund, po themi se në vend të kritikave, ju takon të filloni me punë e të zgjidhni edhe këto probleme që ju përkasin të gjithë muslimanëve në vend. Cdo gjë tjetër është profiteri politike nga e cila ne distancohemi me bindje të plotë. Ne si Muftinjë të Muftinive të BFI, jemi në përkrahje të pa rezervë të Reisul Ulemasë h. Sulejman ef. Rexhepi sepse ai është personalitet i dëshmuar në vend e jashtë tijë, bartës i mirënjohjeve dhe dekoratave më të larta ndërkombëetare në shenjë të respektit për avancimin e situatës së besimtarëve muslimanë. Ne, poashtu, fuqishëm e përkrahim BFI si institucion i yni amë që përkujdeset me bindje të plotë dhe profesionalizëm për organizimin e jetës islame në RMV.
Me respekt,

Muftinjtë e Bashkësisë fetare Islame në RMV: