Bfi:Rreth Propozimligjit për ndërprerjen e shtatzënisë (abortit), propozuar nga Qeveria e Maqedonisë

Shërbimi profesional për çështje fetare i Rijasetit të BFI-së me vëmendje po e përcjell debatin rreth Propozimligjit për ndërprerjen e shtatzënisë (abortit), propozuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bashkësia Fetare e RMV, duke u mbështetur në argumentet autentike islame (Kuran- Sunnet), si dhe në konsensusin e juristëve islamë në të gjitha kohët, për Qeverinë e RMV e lëshon Sqarimin në vazhdim.

Aborti, sipas burimeve autentike islame dhe sipas konsensusit të juristëve islamë, nuk shihet si një zgjidhje e shoqërisë, me përjashtim kur për të paraqitet nevoja apo domosdoshmëria.

  1. Qëndrimi i Islamit sa i përket abortit është si vijon:
  • Ndërprerja e shtatzënisë (aborti), sipas Islamit, mund të bëhet maksimum deri në 120 ditë, nga dita e shtatzënisë (katër muaj). Aborti deri në këtë afat kohor trajtohet si çështje e ndërgjegjes, kurse aborti pas 120 ditëve trajtohet i paligjshëm dhe, si i tillë, konsiderohet vepër penal, që nënkupton se organi kompetent detyrohet të ngrejë padi penale si për mjekët që e kanë kryer abortin, ashtu edhe për femrën që ka abortuar.

Arsyeja e ndalimit të abortit pas kësaj periudhe (120 ditëve) është se fëmija pas kësaj kohe ndihet i gjallë dhe i sigurohet e drejta e jetës, do të thotë sulmi ndaj tij është sulm ndaj jetës.

Prandaj, konsiderojmë se Neni 8 pika 1, ku thuhet: “Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet edhe pas 12 javëve (84 ditë), deri në javën e 22-të (154 ditë), me kërkesë me shkrim, të cilën e parashtron gruaja shtatzënë…” është në kundërshtim me parimet esenciale islame dhe, si i tillë, nuk mund të pranohet nga myslimanët.

  • Aborti që duhet të kryhet para kësaj periudhe (para 120 ditëve) detyrimisht duhet të jetë me pajtimin e plotë të dy palëve (të gruas dhe të burrit), prej të cilëve është formuar fryti, sepse në të kundërtën kemi shkelje të të drejtave elementare. Pranimi i abortit vetëm me pëlqimin e gruas shtatzënë, pa pëlqimin e bashkëshortit, siç përmendet disa herë në Propozimligj, siç janë nenet 2, 3, 4 etj. nuk përkon me parimet e përgjithshme të drejtësisë së përgjithshme, e aq më pak me parimet e jurisprudencës islame, andaj edhe kjo është papranueshme.
  • Aborti pas 120 ditëve mund të kryhet vetëm atëherë kur rrezikohet jeta e nënës, e kjo vërtetohet me dëshminë e mjekëve ekspertë të lëmit përkatës dhe me pëlqimin e të dyja palëve (të burrit dhe të gruas). Vlerësohet kështu, ngase kur është në pyetje jeta e nënës apo e fëmijës, jeta e nënës ka më shumë prioritet të mbrohet.
  1. Duke e marrë parasysh se një përqindje e madhe e popullsisë i takon besimit islam, presim që këtë Sqarim ta merrni parasysh, sepse kështu do të kontribuonim të gjithë në të mirë të nënës dhe të fëmijës.