Bletarët nga vendi dhe rajoni garuan në Tetovë për kualitetin e mjaltit

Sot, Shoqata “Qyteti i Bletëve” dhe Shoqata “Mjalti i Pollogut” nga Tetova, mblodhën bletarët e rajonit, për të garruar dhe për ti dekoruar me medalje bletarët, duke zgjedhur kështu mjaltin më kualitativ në vend dhe në rajon.
Si zëv.drejtor i Agjencisë për përkrahje të bujqësisë dhe zhvillim rural, kisha nderin që bashkë me Ministrin e Bujqësisë z. Trajan Dimkovski, Sekretarin shtetëror të MB z.Nefrus Çeliku, z.Elgafar Jusufi Drejtor i Agjencisë për nxitje te bujqësisë, si dhe z.Driton Dikena Kryetar i Shoqatës, të dekorojmë me medalje më të mirët. Gjithashtu në fjalimin tim shpreha kënaqësinë të jem në mesin e tyre dhe bashkërisht të ndajmë çmimet për kultivuesit e një ndër produkteve më të çmuara në këtë rruzull tokësor për shëndetin e njeriut, e ai është mjalti.
Duke i njohur vlerat ushqyese që ka mjalti, po aq kanë rëndësi edhe kultivuesit e tij “bletarët”. Është për tu respektuar puna që bëjnë ata, sepse kualiteti i mjaltit ndikon direkt në shëndetin e njeriut duke i njohur vlerat ushqyese që ka ai.
Gjithashtu, përshëndeta organizatorët e kësaj gare ndërkombëtare, sepse mendoj se eventet e tilla si kjo sot, ndikojnë direkt në përmirësimin e kualitetit të mjaltit dhe produktet tjera që dalin nga bletët. Le të jetë ky event edhe motivim për të tjerët që kanë potencial për përmirësimin e kualitetit të mjaltit.
Të gjithë bletarëve ju urova edhe shumë suksese në synimet që kanë, ndërsa ne si përfaqësues të institucioneve na mbetet që edhe më tej të përkrahim punën e tyre dhe bashkërisht të krijojmë kushte sa më të mira dhe më moderne të cilat direkt do të ndihmojnë në lehtësimin e punës së bletarëve, por edhe në kualitetin më të lartë të mjaltit.