Bojkoti, metodë jodemokratike, çdo herë ka dëmtuar shqiptarët

Demokracia, si sundim i shumicës, jo gjithëherë, sjell zgjidhje të drejta, por, metodë më të mirë për qeverisje nuk ka, së paku deri më sot. Andaj, demokracia, matet me votë. Demokracia matet edhe me procese të avancuara për matjen e qëndrimit, idesë apo vizionit, por përcaktor është kutia e votimit.

Bojkoti si metodë, në Evropë, është shumë pak si veprim demokratik i përdorur, përpos në rast të thyerjeve të mëdha, duke sjellë pasoja për rendin demokratik.

Nëse ne shqiptarët e shohim historinë e bojkotit, nuk mund të gjejmë aq raste të mira, për të tumirë këtë rrugë për arritjen e qëllimit. Bojkoti, është stagnim në procese demokratike. Këtë metodë, si duket, fqinji verior i Maqedonisë së Veriut, e përdorë, me implikime të fuqishme mediale dhe parti politike, për të stagnuar shqiptarët.

Për të stagnuar, ka çdo herë argument. Përse? Sepse, argumentet e stagnimit janë zakonisht me rrënjë të forta popullsitë dhe metodë për dezorientimin e masave, me idetë e çoroditura jodemokratike, si abstinenca në proces.

Pse bojkoti nuk na ka dhënë rezultate zakonisht në politikë si shqiptar, përgjigja është e thjeshtë, nuk përbën pikën e fortë të karakterit tonë, individualitetit nacional as tiparit të karakterit për t’u shmangur nga ballafaqimi me realitetin.

Kjo se është prapakthyese, po e dëshmon bojkoti i Parlamentit në Shqipëri aktualisht, kur vota e qytetarit keqpërdoret duke dalë nga parlamenti në rrugë, vendoset në karantinë, abstinencë, stagnim, gjoja për një qëllim më të lartë.

Dhe e gjithë kjo sagë, si zakonisht, përfundon me dështimin e idesë së bojkotit, së pari duke humbur besimin e qytetarit, rendit kushtetues dhe besimin ndërkombëtar, se ky individualizëm duhet nënshtruar disa rregullave, sepse megjithatë ka rregulla demokratike të parashkruara në Kushtetutë, se si të veprohet dhe si janë zgjidhjet për këto pat pozicione.

Propagandimi i bojkotit, bashkësive të vogla kurrë nuk ju sjell fitime në matjet globale. Këtë më së miri e dëshmojnë pakicat në Kosovë. Merrni me mend nëse do të bojkotonin cilindo institucion se çfarë i gjen. Dihet, vetpërjashtimi nga pjesëmarrja në institucione, qoftë edhe në institucionin e votës, ju kushton pikërisht atyre, andaj, asnjë herë nuk i dëmtojnë interesat e veta me bojkot.

Pse është plotësisht e padobishme bojkoti në pjesëmarrjen e zgjedhjeve presidenciale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Institucioni demokratik, instrumenti demokratik votës, është përmasa e fuqisë ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Sepse, me parimin se mali është i atij që kullot dhentë, mospjesëmarrja dhe bojkoti, na përjashton nga fusha, na përjashton nga të qenët subjekt, i proceseve demokratike, nga fuqia ekzekutive në pushtetin qendror dhe lokal si dhe dekor të statistikave.

Andaj, me bindje të plotë, nuk duhet t’i shmangemi procesit, madje asnjë procesi, ku numrat konfirmojnë praninë, ekzistencën dhe konstanten e proceseve, shtetit dhe etnisë, jo vetëm si numra të rrumbullakuar si faktor të procesit, por edhe si faktor të fuqizimit të procesit.

Nëse shqiptarët do të zgjedhin presidentin maqedonas, duhet të gjithë ta dinë se ai prezanton uniteti e shtetit, e ne si shqiptarë, duhet ta dimë se jemi pjesë integrale e shtetit, me interesa dhe synime, me interes edhe nacional, për shqiptarët.

Sigurisht, secili që merret me politikë, do ta dinte përgjigjen se çfarë do të ndodhte nëse BDI do t’ia jepte votën VMRO-DPMNE-së, pas zgjedhjeve të fundit. Në asnjë rast, procesi integrues nuk do të arrinte ku jemi tash, NATO-n do ta shihnim në televizor, ndërsa gjuha shqipe do të vazhdonte të mbetej në naftalinë.

Prandaj, shqiptarët, vetëm të prirur nga politika e fqinjit të veriut, mund ta mendojnë se bojkoti dhe kandidati për president, për shkak të përkatësisë nacionale, nuk është edhe interes nacional i shqiptarëve.

Po, është interes të bëhet kandidati i LSDM-së president, dhe bojkoti i shqiptarëve, ulë peshën, ulë kapacitetin dhe interesin e shqiptarëve nëse i bojkotojnë zgjedhjet. Sepse, bojkoti, ulë edhe praninë tonë, ulë vizionin tonë nga po shkojmë, duke i kontribuar amullisë dhe stagnimit që momentalisht i konvenon vetëm Serbisë dhe politikës ruse në Ballkan.

Ne nuk kemi kohë të humbim, nuk kemi interes të presim, nuk kemi nevojë fletëvotimet tona të digjen, sepse, kemi humbur mjaft, kemi pritur mjaft, kemi stagnuar mjaft. Shqiptarët duhet të jenë faktor përcaktues, edhe për residentin, ashtu siç u bënë përcaktues të qeverisë dhe shumë proceseve që Maqedoninë e Veriut po e çojnë përpara. Fundja, duhet të dëshmohemi dhe ballafaqohemi me realitet, pa u frikësuar as për kapacitetin tonë, as qenësinë tonë, besa as për politikën tonë shqiptare këtu, e cila me sukses dha shumë provime para historisë.