Çka i rekomandoi Grubi Vmro-Dpmne-së

Artan Grubi, deputet i BDI-së, pas aprovimit të Ligjit për gjuhët, ka rekomanduar implementimin sa më parë të tij, duke ia filluar me VMRO-DPMNE e cila para selisë së saj, duhet ta ketë në gjuhën shqipe emërtimin e partisë.

Në konferencën për shtyp në Kuvend, Z. Grubi tha se Ligji për gjuhët nga sot hyn në fuqi dhe se institucionet duhet menjëherë të fillojnë me zbatimin e dispozitave ligjore, për këtë parashihet krijimi i Inspektoratit që do të kontrollojë implementimin e Ligjit.

“Të gjitha institucionet në vend duhet të respektojnë Ligjin. Presidenti i paligjshëm që është në largim ka vetëm edhe dy muaj në zyrën e tij. Sa për sqarim, ai ka për detyrim ligjor të nënshkruaj vetëm shpalljen e Ligjit, ndërsa vetë Ligjin e nënshkruan kryetari i Kuvendit. Shpallja e Ligjit së bashku me Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë është plotësisht në përputhje me ligjet në fuqi. Ne mendojmë se Ivanovi dhe VMRO-DPMNE-ja duhet të ngrihen dhe të jenë të parët që do të shkruajnë para selisë së tyre VMRO-DPMNE dhe në gjuhën shqipe”, theksoi Grubi.