Çorba e VMRO-DPMNE, është e prishur!

Ujërat e turbullta të një partie në kërkim të vetvetes, apo, pse VMRO-DPMNE është imituese e diktaturave të perënduara, latinoamerikane.

Përjashtimi si mundësi, nxit reaksionin, i cili domosdo, fërkohet deri në përjashtim të nxitësit të përjashtimit. Kohë e re politike, që lë jashtë ngjarjeve politike, ish forcën shpresëdhënëse për një Maqedoni për të gjithë qytetarët.

Proklamimi i nacionalizmit si gurthemel i veprimit politik, nga VMRO në fillim, konservativizmi, demokristianizmi, nacionalizmi burimor maqedonas, janë disa nga qëndrimet e deklaruara. Por, prapa kësaj fasade, qëndrojnë konceptet e juntave, konceptet e izolacionizmit, ekskluzivitetit dhe injorancës nacionale.

Të gjithë votuesit e njohin kontributin e shqiptarëve për zgjedhjen e Trajkovskit president. Ai pati një fatkeqësi, por, trashëgimia politike e tij, kurrë nuk i tha faleminderit shqiptarëve.

Ne besuam për ndryshim. Ata nuk besuan. Hyri në veprim përjashtimi ose gjunjëzimi. Këtë teknikë, liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut e kanë të njohur, në veçanti ata që e luftuan konceptin maqedonas.

Konceptet e krijimit politik, kanë devijuar në sintagma fashiste. Mickoski, për BBC në shtator të vitit 2018 ka theksuar se “Maqedonia është mbi të gjitha”, na kujton konceptet e nacionalistëve që arritën të krijojnë kasaphane sa civilizimi nuk ka mbajtur mend.

Mickoski, është maja e ajsbergut. Të gjithë ne e mbajmë mend Gruevskin në pushtet dhe Grueskin duke u përgatitur për Idrizovë. Gjendje e situata aspak politike, më shumë sjellje karikaturale dhe të padenja për burrështetas dhe bartës të përgjegjësive institucionale.

Qëndrimi i kësaj partie, çfarë do të ishte, po që se shqiptarët do ta votonin?

Hakmarrëse, kundër shqiptarëve, pse ua dhanë votën. Këtë, për fat, as nuk e lejoi lidershipi largpamës shqiptar, as do ta lejoj këtë, lidershipi aktual shqiptar.

Ajo shpesh u vetsulmua, për të ndjekur kundërshtarët, shpesh improvizoi rreziqe që nuk ekzistonin, si procesi integrues dhe emri i Maqedonisë. Mjaftojnë të drejtat e shqiptarëve, t’i vihet kapaku kësaj dileme.

Andaj, VMRO, duhet të shkoj në opozitë të thellë, për një gjeneratë, deri sa të harroj një gjeneratë modelet e keqqeverisjes, modelet e gjyqeve të montuara, rrënimin e kornizës demokratike në Maqedoni për jo maqedonasit, për selekcionizmin e turpshëm brenda institucioneve e deri te teknikat e keq qeverisjes, të dokumentuara me bombat e përgjimeve. Dhjetëra akuza për qeveritarët e korruptuar, për pasurinë e jashtëzakonshme të kësaj partie, makina mashtruese e premtimeve për votime, implikimin e shërbimit sekret në institucione publike, kapja e gjyqësorit, dhe qindra e mijëra skandale tjera, bëjnë që shqiptarët, as të mos e shikojnë këtë subjekt të përlyer.

Shqiptarët, i kanë ende të freskëta thirrjet e VMRO-DPMNE-së, kundër shqiptarëve, kundër gjuhës shqipe, kundër dygjuhësisë, kundër fuqizimit të faktorit politik shqiptar, për të thënë një herë e përgjithmonë, kësaj partie apo formacioni adio!!!

Moti, çorba e kësaj partie është e prishur, kush do ta hajë atë çorbë, vërtetë është i verbuar nga babëzia! Çdo çorbë tjetër, sado pa vitamina, nuk mund të jetë e helmueshme sa kjo e VMRO-DPMNE.