Darmanoviq: Asgjë kontestuese për kalimin e Gruevskit nëpër Malin e Zi drejt Hungarisë

Shefi i diplomacisë malazeze, Sërgjan Darmanoviq konsideron se vendi i tij nuk ka vepruar keq në rastin e ikjes së Nikolla Gruevskit, përmes këtij shteti.

Sipas tij, Mali i Zi veproi si me çdo shtetas tjetër të huaj, pasi që nuk ka patur informacione që Gruevski kërkohet për krime, ose për vuajtjen dënimi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Darmanoviq nuk sheh asgjë kontestuese në kalimin e Gruevskit nëpër Malin e Zi, gjatë largimit të tij për në Hungari, ku ka kërkuar azil politik.

Ai shprehet se nuk ka patur asnjë fletarrest nga Interpoli, e as që Maqedonia kishte lëshuar ndonjë sinjal te vendet tjera, kurse organet malazeze kanë vepruar ashtu siç duhet për rastet e diplomatëve dhe regjistrimeve të veturave diplomatike.