Defekti i ujësjellësit në Vrapçisht, e shndërroi ujin e pijshëm në “kakao” (FOTO)

Banorët e Komunës së Vrapçishtit ankohen se kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe pinë ujë jo-cilësor, ndërkaq autoritetet thonë se ka pasur defekt në rrjetin e ujësjellësit dhe se i njëjti është mënjanuar. Sipas kryetarit të Komunës, gjatë defektit ka pasur përzierje të ujit me baltë dhe kjo ka b5rë që uji të marrë ngjyrë kafe, por siç thotë ai, tani uji është pastruar dhe banorët mund ta shfrytëzojnë njofton Portalb.mk

Në redaksinë e Portalb.mk, një banor i fshatit Vrapçisht ka dërguar disa fotografi në të cilën shihet në disa gota uji, i cili ka dukje jo të zakonshme, gjegjësisht ngjyrë kafe, ndërkaq i njëjti thekson përveç kësaj, ka shpesh edhe mungesë të uji.

Problemi më shqetësues në Vrapçisht, edhe pse është shekulli 21, me vite të tëra nuk ka qasje stabile deri te uji i pijshëm. Ndërkaq kur ka, mund t’i shihni fotot dhe vetë të vëreni se çfarë uji është. Nëse duam që Maqedonia të bëhet anëtare e OKB-së dhe BE-së, duhet ta dimë se e drejta për ujë është njëra ndër të drejtat themelore të njeriut”, thotë banori Ozlem Sali.

Portalb.mk, ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, i cili konfirmoi se gjendja e tillë e ujit ka qenë për shkak të një defektit të rrjetit kryesor të ujësjellësit, gjegjësisht për shkak baltës, ndërkaq informoi se uji është i pijshëm dhe tani nuk ka kurrëfar problemi.

“Po jemi të njoftuar. Presim analiza nga Instituti për Shëndet publik, presim këtë javë prej të mërkurën ose të enjten të na dërgojnë rezultatet. Uji është i pijshëm, por në momentin që ka ndodhur defekti në ujësjellës, ka pasur pak përzierje, ajo ishte prej baltës, por tani është pastruar dhe është në rregull”, thotë Shabani për Portalb.mk.

Për defektin, Komuna e Vrapçishtit ka njoftuar edhe nëpërmjet shërbimit të tyre për informim

“Për shkak të defektit në rrjetin kryesor të ujësjellësit të fshatit Vrapçisht, ka mungesë të ujit në fshat. Ndërmarrja komunale gjendet në terren dhe merret me mënjanimin e defektit, por pas zgjidhjes së problemit gjatë ditës së djeshme, përsëri pati defekt në po të njëjtin rrjet, të cilin tanimë ekipet po punojnë në teren dhe mundohen maksimalisht që të zgjidhet problemi”, thuhet në njoftimin e djeshëm, pas të cilit në një postim tjetër, kryetari Shabani ka vizituar vendin e ngjarjes dhe në njoftimin tjetër thuhet se “vazhdojnë punimet për riparimin e ujësjellësit të fshatit edhe gjatë natës pasi që defekti ishte shumë i madh dhe riparimin i tij kërkon kohë më të gjatë”.