Deskoska: Vendimi i Këshillit, jo ligjor

Sindikata e të punësuarve gjyqësor ka paralajmëruar grevë, nëse nuk tërhiqet vendimi i Këshillit Gjyqësor që anëtarët e këshillit të marrin paga shtesë. Sipas sindikatës, vendimi retroaktiv që mundëson marrjen e kompensimeve shtesë prej 35 % nga anëtarët e këshillit gjyqësor për muajin shtator dhe tetor, është jolegal.

“Sindikata e punonjësve administrativ vlerëson se ky vendim është sjellë në mënyrë retroaktive dhe e njëjta është jo ligjore dhe është në kufi të paturpshmërisë. Një vendim i tillë e irriton posaçërisht administratën gjyqësore sepse për atë në Këshillin gjyqësor buxhetor nuk janë bërë asnjëherë përpjekje që të gjendet mënyrë për pagesën të çfarëdo kompensimi”- thonë nga Sindikata e punonjësve të administratës gjyqësore.

Sindikata e punonjësve të administratës gjyqësore kanë caktuar takim me kryeministrin Zoran Zaev javën e ardhshme për të folur lidhur me problematikat e tyre. Ligji parashikon që kompensime shtesë në gjyqësor mund të marrin vetëm gjykatësit, por jo edhe të punësuarit në administratën gjyqësore. Megjithatë kusht është që vendimi të jetë miratuar në muajin që vijon dhe jo për muajt e kaluar. Këtë vendim të Këshillit e dënon edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.

“Bazë ligjore për mjete shtesë të rrogës ka për gjykatësit, dhe jo për anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Kur vet ndajnë kompensime që nuk u takojnë nuk është vetëm skandal por është edhe joligjor”- theksoi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Sipas Deskoskës, përfliten dy arsye kryesore për shkak të të cilave mund të jetë marrë ky vendim. E para, Keshilli Gjyqësor ka synuar të irritojë adminsitratën gjyqësore dhe me grevën e tyre të pengohet rrjedha normale e të gjitha procedurave të rëndësishme gjyqësore që janë duke u zhvilluar aktualisht. Ajo apeloi te administrata gjyqësore të mos bie pre e këtyre provokimeve. E dyta, sipas Deskoskës, flitet se me këtë vendim synohet legjitimimi i situatave të ngjashme nga e kaluara. Alsat kontaktoi kreun e Këshillit Gjyqësor Zoran Karaxhovski për sqarime rreth vendimit.

Ai tha se edhe pse vet ka votuar kundër këtij vendimi, ai është ligjor sepse është mbështetur nga të gjithë anëtarët tjerë të Këshillit.