Dita e alfabetit, manifestim në Manastir dhe Shkup

Vazhdojnë aktivitetet për shënimin e ditës së unifikimit të alfabetit shqip. Në Shkup qëndron presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta kurse më vonë edhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi. Meta, i pritur dhe shoqëruar nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, dhe zv.kryeministri Bujar Osmani, në kuadër të manifestimit të sotëm dhe shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriori Skenderbeut, vizitoi Çarshinë e Shkupit dhe sheshin Skenderbeu. Zyrtarët e lartë vendosën kurora përpara përmendores së heroit kombëtar.

Është vepra e jashtzakonshme e kësaj figure madhore jo vetëm të kombit tonë por edhe të qytetrimit evropian që përcaktoi identitetin tonë evropian, rrugën tonë evropiane për të cilën edhe sot ne jemi të angazhuar, shqiptarët në të gjithë rajonin. Faktori shqiptar në Maqedoni jep një kontribut historik dhe përcaktues dhe sigurisht që është kjo rrugë që përcaktoi Gjergj Kastrioti Skenderbeu që udhëhoqi edhe filozofinë e bashkimit në Kongresin e Manastirit për alfabetin e gjuhës sonë”- theksoi Ilir Meta, president i Shqipërisë.

Kemi akoma punë për të bërë por jemi krenarë që i kemi shëndrruar në monumente të gjithë ata, idealet e tyre që i kanë pasur, që nga ngritja e shtatores këtu përballë në Shkupin e vjetër deri te memoriali që ndodhet para jush, që me lidhjen e Lezhës, te Kongresi i Manastirit, te lufta nacional-çlirimtare  deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Andaj këto personalitete do të mbeten në jetë të jetëve në përkujtim dhe në udhërrëfim të mëtejshëm për të jetësuar dhe materializuar idealet tona të mëdha si komb”- tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së .

Të pranishëm gjatë vizitës në Çarshi nuk ishin as liderët tjerë të partive politike shqiptare dhe as politikanët dhe zyrtarët maqedonas. Zv.kryeministri Bujar Osmani, kabineti i të cilit organizoi manifestimin disaditor thotë se përfaqësuesit e tjerë politik pritet të marrin pjesë në manifestimin qëndror në orët e mbrëmjes.

Sot i presim të gjithë edhe liderët e partive shqiptare, edhe të gjithë ministrat, janë ftuar të gjithë deputetët shqiptarë dhe maqedonas, partitë politike dhe presim që në mënyrë festive ta shënojmë këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne”- deklaroi Bujar Osmani, zv.kryeministër.

Manifestimi vazhdon me një koncert të violinistit me famë ndërkombëtare Shkëlzen Dolin në Filharmoninë e Maqedonisë. Aty pritet të marrin fjalën edhe kryeministri Zoran Zaev, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi.