DOSJA KRIMINALE SERBE DHE PADIA E EDI RAMËS

BDI
728x90

Dosja kriminale e Serbisë ende nuk është hapur në ndonjë gjykatë ndërkombëtare dhe për habi kjo dosje nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur as nga ana e Tiranës zyrtare. Tani me padinë kundër Ramush Haradinajt, sikur synohet të relativizohet kjo dosje, ndërkohë që Edi Rama është treguar politikan pa takt teksa ka përdorur mekanizma juridik për të penalizuar thëniet publike të Haradinajt, të cilat duhet shikuar në kontekst të një situate konfuze kur Kosova po futej në një proces të rrezikshëm pazaresh për kufinj. Prandaj në vend se të pret epilogun e këtij procesi gjyqësor, Edi Rama më mirë është që ta tërheq aktpadinë kundër haradinajt, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet në relacionin Prishtinë-Tiranë.

Nga Mehmet PRISHTINA

Më 15 janar kur përkujtohej Maskara e Reçakut, opinion publik me të drejtë ka pritur se atë ditë Tiarana dhe Prishtina zyrtare do të bëhen bashkë për të hedhur në gjyq mohuesit e kësaj masakre që aktualisht ndodhen në Beograd. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, pra nuk u mor me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili maksakrën e Reçakës e kishte quajtur një trillium të ambasadorit Wiliam Woker, por u mor me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin pikërisht më 15 janar e paditi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Haradinaj përveç akuzës për shpifje mbi “Idenë e shkëmbimit të territoreve”, akuzohet edhe për deklarimet se homologu i tij shqiptar, Edi Rama, këtë po e bën për përfitime personale. Madje, sipas padisë, Haradinaj kishte përmendur edhe një shifër të madhe parash prej 10 miliardë eurosh, të cilat do të ndaheshin në mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në padi përmenden disa emisione televizive ku thuhet: “Haradinaj ka akuzuar në mënyrë specifike paditësin (Ramën) se është angazhuar në projektimin dhe i ka dhënë mbështetje “Idesë së korrigjimit të kufijve” në shkëmbim të një interesi financiar” pra korruptiv që sipas të paditurit (Haradinaj) personifikohet në të ardhura të nga një pjese të minierës së Trepçës që gjendet në veriun e Republikës së Kosovës”.

Përmes kësaj padie Rama pretendon se “bëhet fjalë për akuza të karakterit nga më të rëndë penal drejtuar paditësit për “tradhëti” e pikërisht “të interesave madhorë mbarë kombëtare” për shkaqe nga më flagrantet e banale si “përfitimi personal material- si dhe nga mënyrë se si janë thënë, të lënë të kuptosh që flitet për një ngjarje konkrete, të vërteta e të provuara si të tilla, duke mos lënë asnjë mundësi për publikun që të mendojë të kundërtën dhe të bëjë vlerësimin e tij”, thuhet në padi.

Ndaj padisë së Edi Ramës ka reaguar kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj. Ai, nëpërmjet Facebook-ut, ka paralajmëruar përgjigje në padi ndaj Ramës, në afat e parapara ligjore dhe e ka vlerësuar edhe si të pabazë pretendimin e Edi Ramës.

“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Kjo është padia e parë e një politikani nga Tirana kundër homologut të tij në Prishtinë. Gjithçka do të ishte normale sikur Shqipëria e Kosova të kishin kaluar nëpër një proces normal të kapërcimit të dallimeve në fusha të caktuara, ndërkohë që padia e Edi Ramës kundër Ramush Haradinajt është pritur me entuziazëm të papërmbajtur në Beograd. Mediat serbe e kishin mirëpritur këtë padi dhe ajo iu kishte shërbyer si perde e trashë për të mbuluar përgjegjësinë e krerëve të Beogradit mbi këtë masakër.

Fatkeqësisht futja e Beogradit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës po ndodhë në kohën kur marrëdhëniet në mes të Tiranës dhe Prishtinës janë ftohur si pasojë e veprimeve të përshpejtuara e të pakoordinuara të të dyja shteteve. Fillimisht ishte ideja e Mini Shengenit ajo që trazoi gjakrat, kurse kryeministri shqiptar Edi Rama befasoi të gjithë me bujarinë e tij të tepruar ndaj presidentit serb Vuçiq duke i mundësuar atij që të rehabilitohet mu në Tiranë pas deklaratave skandaloze që i kishte dhënë në dëm të Kosovës.

Në një konferencë për media në prill të vitit të kaluar Vuçiqi ka deklaruar se “masakra e Reçakut ka qenë trillim dhe gjithçka është fabrikuar nga ambasadori i atëhershëm i OSBE-së, William Walker”.

Kjo deklaratë e Vuçiqit ishte mbështetje e ish ministrit të MAPL-së në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijevic, i cili pikërisht para një viti kur kujtohej 20 vjetori i masakrës së Reçakut, kishte bërë një deklaratë të turpshme, duke quajtur shqiptarët terroristë, ndërsa këtë masakërn e quajti të trilluar.

“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtëquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, kurse janë terroristët shqiptarë ata që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtëquajtur paqësor në Kosovë e Metohi” pat thënë Teodosijevic në Zveçan.

Kjo deklaratë skandaloze e kishte detyruar Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ta shkarkojë ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Sipas Haradinajt është e patolerueshme gjuha e përdorur nga Teodosijeviq për masakrën e Reçakut.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi”, pat shkruar Haradinaj në Facebook.

Derisa presidenti serb e quante të trilluar, një ish zyrtar i lartë i Shërbimit të Sigurimit Serb (SDB) dhe ish-zëvendësdrejtor i BIA-s, javë më parë ka dhënë versionin për masakrën e Reçakut, duke e pranuar se ishin forcat serbe ato që e kryen këtë krim mbi shqiptarët në janar të viti 1999.

Këtë version ia kishte thënë portalit serb “Kurir” Dragan Markoviq-Markoni, pjesëtar shumëvjeçar i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb (SDB) dhe ish-Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informative e të Sigurisë (BIA).
Markoviq kishte thënë se “Njësia e Operacioneve Speciale Serbe (JSO) duhej ta mbronte popullsinë serbe në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë të prekura nga lufta civile, por shefi i atëhershëm i SDB abuzoi me patriotizmin e anëtarëve të asaj njësie”.

Sipas tij, ai e bëri këtë “duke u dhënë atyre urdhër që të mos respektojnë ligjin e luftës, por të përdorin dhunë të tepruar”.

Është shumë indikative se këto deklara të zyrtarëve serbë që mundohen të mohojnë masakrën e Reçakut, nuk kanë gjetur ndonjë trajtim adekuat nga ana e Tiranës zyrtare, ndërkohë që Ambasadori Walker duke folur për mohimin e kësaj masakre nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarat e tij janë të ngjashme me ato të Sllobodan Millosheviqit.

“Ka mohuar masakrën e Reçakut, më ka mohuar mua dhe ky mohim për 21 vjet, ku të gjitha dëshmitë ishin evidente më shqetëson shumë. Ishin fjalë të ngjashme si nga ana e Sllobodan Millosheviqit, i cili tha në Hagë të njëjtat ndjenja, të njëjtat fjalë, të njëjtin mohim 20 vjet më pas kur të gjitha dëshmitë ishin aty. Unë kam përshkruar atë që kam parë…”, tha Walker.

Sipas tij, nuk duhet harruar të kaluarën dhe se masakra e Reçakut, masakrat e familjes Jashari dhe të tjerat janë të rëndësishme për t’u kujtuar, jo për të stimuluar urrejtje dhe dhunë, por njerëzit të kujtojnë se ka pasur sakrificë të madhe, shumë e kanë paguar me jetë, me çmimin më të lartë atë që kemi ne sot.
Kosova ende nuk i ka mbyllur plagët e shkaktuara nga gjenocidi serb dhe kanë kaluar 21 vjet që kur familjet kosovare i presin me duar të zbrazëta mbi 1200 të pagjetur, të afërm të tyre, të cilët shteti serb ende nuk ka treguar vendndodhjen e tyre. Madje Serbia është munduar edhe t’i zhdukë gjurmët e krimit dhe ky është një krim i dyfisht që i bëhet Kosovës.

Dosja kriminale e Serbisë ende nuk është hapur në ndonjë gjykatë ndërkombëtare dhe për habi kjo dosje nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur as nga ana e Tiranës zyrtare. Tani me padinë kundër Ramush Haradinajt, sikur synohet të relativizohet kjo dosje, ndërkohë që Edi Rama është treguar politikan pa takt teksa ka përdorur mekanizma juridik për të penalizuar thëniet publike të Haradinajt, të cilat duhet shikuar në kontekst të një situate konfuze kur Kosova po futej në një proces të rrezikshëm pazaresh për kufinj. Prandaj në vend se ta pres epilogun e këtij procesi gjyqësor, Edi Rama më mirë është që ta tërheq aktpadinë kundër Haradinajt, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet në relacionin Prishtinë-Tiranë.

Prishtinë, 17 janar.

BDI